Përmirësohet gjendja shëndetësore e Elenës dhe nënës së saj, nuk e dinë për vdekjen e Mevlutes dhe Hasimes
Elena(Alketa) Hysa dhe nëna e saj Kujtime Hysa, që u plagosën një javë më parë nga Dan Hutra, tani janë në gjendje më të mirë shëndetësore. Nga reanimacioni, tani Elena Hysa është transferuar në repartin e rregullt ku po trajtohet përkrah nënës së saj. Ato pritet të flasin së shpejti para grupit hetimor për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes së rëndë.
Elena Hysa ka qenë në gjendje më të rëndë shëndetësore, pasi ka pësuar plagë të shumta me thikë dhe një plagë me armë zjarri. Ndërkohë që nëna e saj ka marrë lëndime në anën e majtë të trupit, të cilat fatmirësisht nuk i kanë prekur organet vitale.
Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, përveç familjarëve, askush tjetër nuk lejohet të takojë dy të plagosurat. Ato ende nuk janë në dijeni se vajza e shtëpisë, Mevlutja dhe nusja e re Hasime Dafku kanë humbur jetën.
Në dëshminë e saj paraprake, Kujtime Hysa ka treguar se ditën e 1 Marsit, ish-dhëndri Dan Hutra pasi kishte zbritur nga makina, kishte tentuar të hap zjarr me armë. Sipas saj, Dan Hutra nuk ka folur asnjë fjalë. Ajo thotë se është përleshur me ish-dhëndrin dhe aty ka ndërhyrë edhe e bija Elena. Më tej ajo nuk mban më mend se çfarë ka ndodhur.