I rrëfeu bashkëshortit e fëmijëve për kancerin, Albana kujton përjetimin e tyre: U jepja unë forcë

Pas 5 vitesh larg familjes, Albanës nuk ia merrte mendja se kthimi në Shqipëri do ta vendoste përpara sfidës së radhës, betejës me kancerin. Nëna e konkurrentit në “Music & Beauty”, Iglit, ndalet pikërisht në çastin kur i rrëfeu familjarëve diagnozën e saj.

Mes lotësh, Albana rrëfen në “Ka  Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se situata ishte e vështirë për të gjithë dhe ajo përpiqej t’u jepte forcë.

 

Albana: Kur kam shkuar në shtëpi me gjithë letrat që më dha mjeku, bashkëshorti ma lexoi në fytyrë që ishte një gjë që nuk shkonte dhe unë i thashë jo, mos u shqetëso se nuk ka gjë, është një gjë që do kalojë,  Zoti na pruri, Zoti do na marrë, e di vetë ai, nuk futemi dot ne atje ku futet Zoti. Nuk e përballoi shumë mirë, filloi ai të qante më shumë ai dhe unë që i jepja forcë atij.

Ardit Gjebrea: Bashkëshortit?

Albana: Po. Pas pak më vjen djali i madh nga puna. Unë i kisha lënë letrat aty siç hyn në korridor dhe ne ishim brenda. Ai kishte lexuar letrat. Ai nuk e përballoi mirë, shkulte flokët dhe ikte, doli nga shtëpia.

Ardit Gjebrea: Po Igli?

Albana: Unë nuk i thashë asnjë gjë atë darkë, e lashë të flinte gjumë. Në mëngjes i vajta te krevati,  e përkëdhela, i thashë Igli, mami ka diçka për të të thënë por unë nuk dua që ti të mërzitesh sepse ti je forca ime. Unë këtu jam vetëm për ju. Mami është sëmurë, por nuk është ndonjë gjë që nuk shërohet sepse mami do shkojë në spital. Ai nuk e donte veten.

Ardit Gjebrea: Nga e ndieje ti që do ta përballoje dhe do kalonte kjo gjë?

Albana: Jo, thjesht doja t’i jepja forcë fëmijëve.

Ardit Gjebrea: Po ti tashmë e ke kaluar?

Albana: Jam akoma në mjekim.

Ardit Gjebrea: Çdo gjë po shkon mirë?

Albana: Po, faleminderit Zotit.

Albana shton se Igli është kujdesur gjithnjë për të dhe nuk e ka lënë kurrë vetëm gjatë terapive. Ajo fajëson veten se nuk e ka lënë të ketë një fëmijëri dhe mendon se i biri është rritur para kohe. Për këtë arsye, ajo ka ardhur t’i kërkojë falje dhe t’i japë një falenderim djalit të saj.

Share With:
Translate »
109 Views