Gjinekologu: Shqipëria ka sistemin më të mirë për Neonatologjinë në rajon
Për herë të parë në Maternitetin “Koço Gliozheni” u aplikua një procedurë e re, vendosja e një linje venoze nga vena periferike, deri në afërsi të hyrjes në zemër (long line), duke i mundësuar Rodenit të ardhur në jetë prematurë, me një peshë shumë të vogël, të rikuperohet shpejt, duke e fituar betejën për jetën.
Astrit Bimbashi obstetër gjinekolog tha në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se Shqipëria ka sistemin më të mirë për Neonatologjinë në rajon.
“Është një përpjekje e shërbimit të neonatologjisë që ta fusnin këtë metodë 2 vjetët e fundit dhe ia dolën me sukses. Ne mundohemi të arrijmë më të mirë dhe besoj se në rajon jemi absolutisht më të mirët, në një fushë të veçantë që është ajo e neonatologjisë. Neonatologjia në Shqipëri ka pasur një histori zhvillimi, me mjekun Eduard Tushe që e ka zhvilluar këtë fushë dhe të rinjtë më pas që mundën të ndjekin rrugën e tij. Një bebe prematurë i kushton shtetit shuma të jashtëzakonshme, rreth 80 për qind e buxhetit të spitalit shkon për këto bebe”, tha mjeku.