Vrau 17-vjeçarin, francezët mbledhin 1 milion euro për policin qëlloi
Teksa protestat e dhunshme në Francë kanë nisur të lehtësohen disi, të nxitura nga vrasja e një 17-vjeçari nga policia, ka nisur një debat i ashpër mbi një GoFundMe të hapur për familjen e oficerit të policisë në hetim për vrasjen e adoleshentit.
Vrasja shkaktoi shumë trazira dhe dhunë në rrugët e Francës për ditë me radhë.
Llogaria në GoFundMe për oficerin 38-vjeçar të quajtur Florian M u organizua nga Jean Messiha, një ish-zëdhënës i kandidatit për president i ekstremit të djathtë, Éric Zemmour, me një objektiv fillestar prej 50,000 euro.
“Mbështetje për familjen e policit, Florian M, i cili bëri detyrën dhe sot paguan një çmim të rëndë. Mbështeteni atë masivisht dhe mbështesni policinë tonë,” thuhet në të.
1 milion euro u mblodhën për të, ndërsa një link i hapur për familjen e 17-vjeçarit të ndjerë grumbulloi më pak se 200,000 euro.
Gjyshja e Nahel-it, Nadia, tha se ishte “zemërthyer” nga mbështetja e treguar për oficerin. “Ai i mori jetën e nipit tim. Ky njeri duhet të paguajë, njësoj si të gjithë”, tha ajo për kanalin televiziv BFM të dielën. “Kam besim te sistemi i drejtësisë. Unë besoj në drejtësi.”
Politikanët e majtë e kanë përshkruar llogarinë në GoFundMe si “të pahijshme dhe një tmerr absolut” dhe kanë kërkuar që të anulohet.
“Më shumë se një milion euro të mbledhura me iniciativën e një polemisti të së djathtës ekstreme [Messiha] në mbështetje të një oficeri policie që vret një adoleshent. Mesazhi? Ia vlen të vrasësh një të ri arab,” shkroi eurodeputetja e Francës Manon Aubry në Twitter.
Ligji francez ndalon “hapjen ose shpalljen publike të mbledhjes së fondeve, qëllimi i të cilave është kompensimi i gjobave, kostove dhe dëmeve të dhëna nga dënimet gjyqësore në çështjet penale.”
Një zëdhënës i GoFundMe tha për revistën franceze Capital se fondi nuk shkeli asnjë rregull pasi paratë nuk do të shkonin për të financuar tarifat ligjore ose mbrojtjen e oficerit të policisë. “Paratë do t’i jepen drejtpërdrejt familjes, e cila është vendosur si palë përfituese,” thanë ata.
Protestat e dhunshme shpërthyen në të gjithë Francën pasi policia qëlloi 17-vjeçarin me origjinë algjeriane dhe marokene.
Nahel u qëllua për vdekje pasi u ndalua teksa ngiste makinën të martën, më 27 qershor, në periferi të Parisit, Nanterre. Pamjet e incidentit të filmuara nga një kalimtar i rastit treguan dy oficerë që qëndronin në anën e shoferit, njëri prej të cilëve qëlloi me armë drejt Nahel-it, pavarësisht se nuk dukej se ishte në ndonjë rrezik të menjëhershëm.
Pavarësisht thirrjeve nga zyrtarët e lartë për t’i lënë kohë sistemit të drejtësisë të merret me çështjen, një numër i konsiderueshëm njerëzish në të gjithë Francën mbeten të tronditur dhe të zemëruar, veçanërisht të rinjtë me ngjyrë që kanë qenë viktima të diskriminimit nga policia.