Mamaja 26-vjeçare rrëfen anën e panjohur të shtatzënisë: “Ishte traumatike, hoqa të gjithë dhëmbët për shkak të të vjellave”
Lodhje, marramendje, çrregullime humori, neps i vazhdueshëm si dhe probleme me përqendrimin apo gjumin, janë këto disa nga “simptomat e ëmbla dhe të hidhura” që përjetojnë shumë vajza dhe gra në javët e para të shtatzënisë. Çdo organizëm është unik, prandaj edhe mënyra si i përballoni ato ndryshon nga njëra te tjetra, megjithatë duhet ta pranojmë që nëse ka diçka me të vërtetë të lodhshme dhe bezdisëse, janë të vjellat. Po sikur t’ju themi që mund të humbisni komplet dhëmbët nga nausea e përditshme? Nuk është një fake news e as ndonjë shpikje e radhës, por një ngjarje e vërtetë të cilën e ka pësuar në kurrizin e saj një nënë e re britanike.
Louise Cooper punonte si dado në Francë kur mori vesh se ishte në pritje të ëmbël, por ajo që presupozohej të ishte periudha më e bukur e jetës së saj u shndërrua pak nga pak në një kalvar vuajtjesh të vazhdueshme. 26 vjeçarja nga Reading ka rrëfyer së fundmi për “Daily Mail” të gjitha peripecitë që kaloi para dhe pas lindjes së djalit të parë, për shkak të HIPERMESIS GRAVIDARUM, një gjendje e rrallë që shkakton të vjella të dhimbshme, rënie nga pesha, dehidratim, madje edhe probleme të shëndetit mendor. Sipas të dhënave të deritanishme 1 në 30 gra në Angli dhe SHBA vuan nga kjo patologji, por ekspertët e shëndetit nuk kanë arritur akoma të përcaktojnë përse disa preken prej saj e të tjera jo.
“Gjatë katër javëve të para të shtatzënisë të vjellat ishin të shpeshta, por mund t’i përballoja. Më vonë ndryshoi gjithçka. Kisha aq shumë të përziera sa u detyrova të kthehem menjëherë në Mbretërinë e Bashkuar. Situata po dilte jashtë kontrollit, kaloja 3-4 orë në tualet duke vjellë dhe humba 6 kg brenda një muaji. Sapo u ktheva në qytetin tim të lindjes kërkova ndihmë mjekësore, por askush nuk po kuptonte ç’po ndodhte derisa pas ekzaminimeve të ndryshme u diagnostikova me HIPERMESIS GRAVIDARUM. Kisha dëgjuar për të nga websitet-t britanike, pasi edhe Kate Middleton e kaloi këtë kur ishte shtatzënë me princin George, por ta provoje në lëkurën tënde ishte e tmerrshme. Humba sensin e të shijuarit pasi villja çdo gjë dhe isha e shqetësuar nëse kjo gjë do të prekte tim bir. Dhëmbin e parë e hoqa pas javës së 16 dhe më pas u detyrova të heq edhe dy të tjerë . 6 muaj pasi solla në jetë Zachary-n, stomatologu im konstatoi se dhëmbët e mi ishin dëmtuar në masën 90% për shkak të acideve agresive të stomakut dhe u detyrova t’i heq të gjithë.”-rrëfen ajo.
“HG zhduket kur lind foshnja, por ky nuk është rasti im pasi e kam kaluar edhe në dy shtatzënitë e tjera. Është shumë traumatike, nuk do ia uroja as armikut tim më të keq. Shumë njerëz e krahasojnë me efektet anësore të kimioterapisë pasi ndien sikur mund të vdesësh nga momenti në moment. Është e lodhshme emocionalisht dhe fizikisht. Tanimë e kam pranuar faktin se nuk kam dhëmbë, por proteza dhe përpiqem shumë të kujdesem për shëndetin oral pas kësaj eksperience. “-përfundoi mamaja e re./