Ngrirja e vezëve: Ç’duhet të dini për procesin, rreziqet, koston financiare etj

Zgjedhja për të “shtyrë” shtatzëninë duke ngrirë vezët është më e zakonshme se dikur. Qoftë për shkak të dëshirës për t’u përqendruar vetëm te karriera, për të gjetur një partner ose për të kuruar problemet shëndetësore, zgjedhja e ngrirjes së vezëve ju jep mundësinë për të menaxhuar aspekte të tjera të jetës derisa të jeni gati për të mbetur shtatzënë.

Ndonëse ngrirja e vezëve nuk është më një koncept i huaj, jo të gjithë janë të vetëdijshëm për procesin e plotë.

Çfarë është ngrirja e vezëve?

Ngrirja e vezëve është një formë e teknologjisë riprodhuese të asistuar. Gjatë procedurës, përdoren medikamente për të stimuluar rritjen e vezëve. Ato vezë më pas mblidhen nga vezoret dhe ruhen të ngrira. Në një datë të mëvonshme, vezët mund të shkrihen dhe të kombinohen me spermën për të krijuar një embrion. Embrioni më pas mund të implantohet në mitër.

Pavarësisht nga arsyeja e ngrirjes së vezëve, qëllimi i përgjithshëm është i njëjtë: ruajtja e vezëve ju lejon të ruani fertilitetin duke mbledhur vezë në një moshë më të re, të cilat mund të përdoren në një datë të mëvonshme. Edhe pse kjo nuk do të garantojë 100% një shtatzëni, mund të rrisë shanset për të mbetur shtatzënë më vonë, në një moshë më të madhe.

Ngrirja e vezëve: Ç’duhet të dini për procesin,

Procesi i ngrirjes së vezëve dhe afati kohor

Afatet kohore mund të ndryshojnë pak, por zakonisht i gjithë procesi i ngrirjes së vezëve mund të zgjasë nga 2 deri në 3 javë për të përfunduar. Shumica e cikleve mund të kryhen në më pak se 2 javë. Stimulimi i vezoreve për të prodhuar vezë përputhet me ciklin menstrual për të siguruar rezultate më të mira. Gjatë këtij procesi, vezoret monitorohen me kujdes duke përdorur ultratinguj dhe analiza të gjakut për të kontrolluar nivelet e hormoneve.

Kush mund të konsiderojë ngrirjen e vezëve?

Ka shumë arsye për të konsideruar ngrirjen e vezëve, por arsyet më të zakonshme janë për të ruajtur fertilitetin ose për t’i dhuruar vezët. Një nga arsyet lidhet me karrierën. Gjithashtu shumë gra zgjedhin të ngrijnë vezët kur kanë gjendje të rënda shëndetësore që mund të ndikojnë te fertiliteti – të tilla si kimioterapia për kancerin, sindroma e vezorës policistike endometrioza etj. Këto gra këshillohen që të ngrijnë vezët përpara se t’i nënshtrohen trajtimeve, në mënyrë që të ruajnë fertilitetin.

Rreziqet dhe efektet anësore 

Shumica e pacientëve thjesht do të përjetojnë siklet gjatë periudhës së injektimit dhe menjëherë pas marrjes së vezëve, megjithëse procesi nuk është pa rreziqe. Rrallëherë, një pacient mund të përjetojë sindromën e hiperstimulimit ovarian – kur medikamentet e përdorura për të stimuluar vezoret për të bërë vezë shkaktojnë gjithashtu nivele shumë të larta të hormoneve, të cilat mund të shkaktojnë zmadhimin e vezoreve, rrjedhjen e lëngjeve në bark etj.

Ngrirja e vezëve mund të shoqërohet me stres, i cili mund të përkeqësohet nga medikamentet hormonale.

Efekte të tjera anësore që lidhen me injektimin e hormoneve dhe stimulimin e vezoreve përfshijnë acarimin e lëkurës në vendet e injektimit të ilaçeve dhe përdredhjen e vezoreve, e cila është një gjendje e rrallë.

Ngrirja e vezëve: Ç’duhet të dini për procesin,

Cila është mosha më e mirë për të ngrirë vezët?

Për shumicën e grave, mosha 30 vjeç përfaqëson kulmin e fertilitetit. Ndonëse vezët mund të vazhdojnë të merren dhe të ngrihen përtej kësaj moshe, shumica e specialistëve të fertilitetit kanë më pak gjasa të inkurajojnë ngrirjen e vezëve për gratë në të 40-at e tyre.

A ka rreziqe të mundshme për një fetus që vjen nga një vezë e ngrirë?

Duke supozuar se nuk ka probleme themelore të pranishme, nuk ka rreziqe të njohura për fetuset që zhvillohen nga vezët e ngrira.

Sa janë shanset për të ngjizur një fëmijë duke përdorur vezë të ngrira?

Kjo varet nga një sërë faktorësh duke përfshirë moshën, si edhe sasinë dhe cilësinë e vezëve që janë përdorur. Një studim zbuloi se nën moshën 35 vjeç, nëse ngrini 20 vezë, ka një shans 94,4% për të pasur të paktën 1 lindje. Shkalla e lindjeve bie në 5.9% për njerëzit që ngrijnë vetëm 5 vezë në moshë më të madhe.

Sa kushton ngrirja e vezëve?

Kostoja e ngrirjes së vezëve mund të ndryshojë shumë në varësi të klinikës dhe vendit ku ndodheni. Procesi i ngrirjes së vezëve vlerësohet sipas cikleve.

Zakonisht, një cikël i ngrirjes së vezëve mund të variojë plus/minus 5,000 deri në 10,000 dollarë për cikël. Kostoja totale e ciklit mund të rritet nëse merrni parasysh koston e medikamenteve, e cila mund të variojë nga 2,000 deri në 7,000 dollarë në varësi të dozës dhe kombinimit të medikamenteve të përshkruara.

Ndërkohë, duhet të keni parasysh edhe koston e ruajtjes së vezëve. Në varësi të klinikës, mund të ketë një kosto vjetore fikse prej 500 deri në 1,000 dollarë.

Share With:
Translate »
97 Views