Drejtuesit e çerdhes dëbojnë 1-vjeçarin sepse… qan: ‘Kemi larguar 10 fëmijë’!
Besarda Mehmetaj thotë se ka një fëmijë 1 vjeç, që e regjistroi në janar në çerdhen numër 3 “Dritë” në Kamëz.
Ajo tregon se e linte vetëm një orë fëmijën, pasi e thërriste edukatorja duke i thënë që po qante.
“E kam lënë shumë pak që fëmija të ambientohej. Orari është 7 me 5. Ndërkohë fëmijën unë e çoja diku tek ora 8 dhe pas një ore edukatorja më merrte dhe më thoshte që fëmija qan. Kjo ka vazhduar për më shumë se 1 muaj rresht. Në Shkurt i kam thënë që fëmija do rrijë më shumë, unë jam në punë dhe nuk mund ta marr dhe ta mbaj në shtëpi. Edukatorja më çonte video ku djali luante, qëndronte dhe herë pas here qante normalisht si fëmijë 1-vjeçar. Pastaj sa shkonte ora 11 edukatore Xhensila më merrte dhe më thonte që merre fëmijën sepse po qan”, tha ajo.
Situata arriti deri në pikën që edukatore Xhensila i thotë, se mund ta lerë në kopsht deri në fund të javës, pasi nuk merreshin dot me fëmijën e saj.
“Të mërkurën kur e kam sjellë bashkë me bashkëshortin fëmijën më është thënë që ky fëmijë do mbahet deri të premten që jemi sot dhe më pas nuk mund ta mbajmë më sepse ky fëmijë qan”, tha denoncuesja.
Besarda thotë, se u detyrua të marrë një zonjë, që t’i mbante djalin, por nuk ia del dot.
Me kamera të fshehtë, nëna e fëmijës takon drejtoreshën e çerdhes “Dritë”, e cila i thotë, që djalin ta mbajë në shtëpi, pasi nuk kanë se çfarë t’i bëjnë.
Drejtuesja e institucionit, si pa të keq, përmend edhe 10 fëmijë të tjerë që janë larguar, pasi edukatoret ishin të paafta për t’i mbajtur.
Qytetarja: Si kaluat?
Drejtoresha: Çfarë bëre ti?
Qytetarja: Mirë! Si je ti? Si do ia bëjmë me Amarin?
Drejtoresha: Me Amarin?
Qytetarja: Po!
Drejtoresha: Unë të kam thënë, që ai qan, por mbaje një periudhë!
Qytetarja: Meqë ai qan, edukatorët më fal, po për çfarë paguhen?
Drejtoresha: Për Zotin janë munduar!
Qytetarja: Se paguhen me taksat tona në radhë të parë.
Drejtoresha: Ke të drejtën e të gjithë botës, por tashi ka fëmijë, që nuk stabilizohen përnjëherë. Do pak periudha…
Qytetarja: Por fëmija nuk mund të stabilizohet, kur unë sa shkoj, e kam fëmijën këtu poshtë te lokali, kemi lokalin. Unë sa shkoj deri aty, Xhensila më thotë hajde merre fëmijën!
Drejtoresha: E di, e di!
Qytetarja: Hajde merre! Më fal, unë nëse e sjell, e sjell nga halli.
Drejtoresha: Ke të drejtë ore…
Qytetarja: Se jam në punë, jam me kredi, jam me hallet e mia.
Drejtoresha: Unë të thashë edhe një gjë atë ditë, mbaje pak, ca ditë…!
Qytetarja: Këtu janë djali, edhe në momentin, që e kanë marrë, e kanë fut brenda djalin, djali nuk ka qajt fare.
Drejtoresha: Jo vetëm qan aty poshtë, qan aty brenda, sa të rrijë pak, domethënë kaloi 10 minuta, dhe pastaj mbajmë në krahë, vendose në karrocë, merre domethënë gjithandej dhe nuk pushonte. Për një fëmijë, që qan gjatë gjithë kohës, mendo, që është e vështirë edhe për neve këtu brenda. Jo të gjithë fëmijët rrinë në çerdhe, këtë ta kesh të ditur. Nga këtu kanë ikur të paktën nja 10-të. A më kupton? Jo vetëm djali jot!
Qytetarja: Po!
Drejtoresha: Ka qenë edhe një vajzë tjetër. I kam hyrë vetë kam ndenjur 2 orë e gjysmë me të. Nuk kam lënë gjë pa bërë në telefon, me lojë duke luajtur, si nuk pushonte gjallë në botë.
Qytetarja: Ne kemi urdhër nga lart, për të mos mbajt fëmijën.
Drejtoresha: Nuk ka urdhër nga lart! Mos e diskuto mo, e ka thënë gabim, e pamenduar, e pamenduar. Unë fëmijë dua, por një fëmijë, që nuk mësohet është vështirë edhe për neve. Ka qenë një fëmijë lart i rritur, e kemi ndërruar në 4 grupet, nuk u mësua gjallë në botë! Çfarë të them më tjetër? Unë, detyrimi im është për të mbajtur fëmijët, për një fëmijë, që nuk mësohet, në çfarë të bëj?
***
Për problemin e fëmijës që nuk e mbajnë në çerdhen e Kamzës me pretendimin se qan vazhdimisht, gazetarja e “Stop” i drejtohet institucionit dhe flet me titullaren dhe edukatoren.
Të dyja e pranojnë faktin, që i kanë thënë nënës që nuk mund ta mbajnë, pasi sipas tyre, Amari nuk është si fëmijët e tjerë.
Kur gazetarja i kërkon titullares zgjidhje, ajo më arrogancë thotë se këtë çështje duhet ta zgjidhë “Stop”-i.
Drejtoresha: Ke shumë të drejtë, por nëse unë e këshilloj dhe i them mbaje një periudhë, kur të bëhet më mirë, sille përsëri ku është faji këtu?
Gazetarja: Jo ti thuhet ti duhet ta heqësh fëmijën nga çerdhja se qan fëmija. Nuk është argument. Vetëm në qoftë se ju edukatore doni një fëmijë pa fol, pa qeshur, pa lëvizur nga vendi, pa ngacmuar shokun dhe doni këtë fëmijën? Fëmijët qeshin, qajnë, për këtë paguhen edukatoret. Në qoftë se ato duan një fëmijë si puna e këtij edukatoret janë të paafta, të ikin.
Drejtoresha: Dokumentacioni është brenda.
Gazetarja: Ajo është procedura e fundit pastaj, ajo prandaj mori Stopin.
Gazetarja: Domethënë ti i ke bërë këto komunikimet?
Edukatorja: Po unë i kam bërë.
Gazetarja: Ti ke thënë që deri të premten dhe pastaj të shohim se ça do bëhet me fëmijën tënd.
Edukatorja: Patjetër mund të vazhdoni.
Gazetarja: Me kokën tënde, apo të drejtoreshës?
Edukatorja: Unë eci me urdhrin e drejtoreshës. I kam dhe unë se nuk i ke vetëm ti. Se ça ka folur ajo me ty nuk e di unë.
Gazetarja: Çfarë ka ndodhur me Amarin?
Edukatorja: Amari është mësuar gjithë ditën dorë më dorë me njerëz të ndryshëm.
Gazetarja: Ta lemë në këmbë tani?
Edukatorja: Kjo ka 2-3 muaj këtu nuk i ndihet zëri i gojës.
Gazetarja: Ti mban përgjegjësi për këtë rast?
Drejtoresha: Patjetër mbaj përgjegjësi në qoftë se i kam kthyer dokumentacionin.
Gazetarja: Çfarë do ndodhë me Amarin?
Drejtoresha: Me Amarin do ia gjeni vendin ju.
Gazetarja: A domethënë ju kërcënoni? Do t’ia gjejmë vendin ne?
Drejtoresha: Patjetër.
Më pas gazetarja iu drejtua Bashkisë Kamëz, konkretisht Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve, ku titullari premtoi të marrë masa për stafin, edukatoren dhe drejtuesen e çerdhes dhe të zgjidhë problemin e sistemimit të Amarit të vogël.
“Do doja që prindërit të kishin ardhur më parë tek ne se tek ju dhe të merrnim një zgjidhje konkrete për rastin e fëmijës. Ne si institucion do të marrim masat e nevojshme për personat përgjegjës nëse kanë pasur sjellje që nuk duken korrekte në lidhje me punën dhe institucionin.
Amari do frekuentojë çerdhen. Do të përpiqemi maksimalisht që Amari të jetë sa më qetë dhe të rrijë sa më rehat dhe komod në çerdhe”, tha përfaqësuesja e bashkisë.