Gjeste me zemër të madhe! Humbi prindërit nga kanceri, dhuruesja anonime përjetëson kujtimin e tyre

“Ka Një Mesazh Për Ty” është jo vetëm rubrika e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ku ndahen rrëfime njerëzore, histori të rralla por edhe shembuj të veprave të mira njerëzore.

Pas rrëfimit të Valentinës dhe sfidave të saj si nënë e vetme binjakësh me spektrin e autizmit, e cila jo vetëm nuk ka mundësi financiare, por ka edhe vështirësi për t’i menaxhuar fizikisht dhe psikologjikisht të dy fëmijët, vjen një rreze shprese.

Moderatori i programit, Ardit Gjebrea ndan me të një histori. Një zonjë që jeton në Itali e cila brenda 3 viteve ka humbur dy prindërit për shkak të kancerit, ka shprehur dëshirën për të përjetësuar emrin e tyre.

Nëna e saj ishte një ndjekëse e rregullt e programit dhe dëshironte të ishte pjesë e tij, por kjo nuk ndodhi. Në kujtim të saj por edhe veprave të mira, zonja ka dhuruar një shumë simbolike për dikë që ka nevojë për këto para të cilat mbajnë emrin e prindërve. Gjesti fisnik pasohet edhe nga Valentina e cila këto para preferon që t’i kalojnë jo vetëm fëmijëve të saj, por qendrës “Lumturo dhimbjen” ku ata shkojnë së bashku me fëmijë të tjerë me spektrin e autizmit.

Ardit Gjebrea: Një zonjë e cila jeton në Itali, tregon se është bijë e dy prindërve të nderuar në qytetin e Durrësit. Babai i saj ka punuar si kryeinxhinier në kantierin detar dhe 10 vitet e fundit si kryeinxhinier i hekurudhave shqiptare, ndërsa nëna e saj ka punuar për 25 vite në Drejtorinë e Tatimeve dhe Taksave në Durrës. Në janar të vitit 2020, pas një lufte me kancerin, babai i saj ndërron jetë. Të paktën ajo u ndodh në Shqipëri dhe bashkë me nënën e saj,  e nderuan babain siç duhet. 

Por pas një viti, ishte tashmë nëna e saj që u diagnostikua me kancer dhe pas një lufte gati 2-vjeçare, edhe ajo në prill të vitit 2023, pra një vit më parë, u nda nga jeta. E bija shprehet këshut: “Nëna më grisi edhe atë cipë të hollë që ma mbante zemrën”. Dy vitet e fundit nëna e saj i kaloi në Milano ku një nga instrumentet kryesorë të shfokusimit nga sëmundja ishte “E Diela Shqiptare”.E bija tregon: “Mamaja ime  e ndiqte çdo episod nga 2-3 herë. Unë nuk kisha kohë që ta ndiqja për shkak të dinamikave të jetës dhe mami e komentonte programin me mua duke më bërë përmbledhjen e javës. Gjithmonë më thoshte që kishte shumë dëshirë të më sillte në “Ka Një Mesazh Për Ty”  dhe e gjithë bota le ta jetonte dashurinë dhe forcën që ne i jepnim njëra-tjetrës.

Por në 17 prill, mamaja e saj  e dashur kishte ditën e saj të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta. Siç edhe janë traditat, organizohet një drekë apo një ceremoni me personat më të afërt, por e bija dëshironte shumë që për këtë ditë të shënuar të bënte diçka më kuptimplotë, një ndihmë monetare ndaj dikujt që ka nevojë për diçka dhe që do të jetë në kujtim të prindërve të saj të dashur. Ajo shprehet: “Do doja që bota ta dëgjojë sërish emrin e tyre dhe veprat e tyre të mira le të vazhdojnë edhe pas vdekjes”.

Ajo ka një buxhet simbolik dhe tha: “Dikush mund të ketë nevojë për këtë shumë dhe mund t’i hyjë në ndihmë. Nuk janë shumë, por mua më është dashur shumë mundim që t’i kursej ato para dhe do të kisha shumënevojë që ju të gjenit dikë që vërtet ka nevojë për një suport financiar”. Pasi ne i treguam historinë tuaj, ajo vendosi që këtë shumë të ta japë ty.

Valentina: Shumë faleminderit!

Ardit Gjebrea: Dhe mbi të gjitha, duke dhënë një shembull  për të gjithë, nuk dëshiron të shfaqet në program pasi dëshiron që të përmendet vetëm emri i prindërve, Vullnet dhe Lejla Pepellashi.

Valentina: Shumë faleminderit! qofshin të përjetshëm prindërit e saj!

Ardit Gjebrea: Faleminderit! Dhe në fund, na tha: “Askush nuk të përgatit sesi të përballesh me humbjen e një të afërmi, aq më pak të të dy prindërve. Nuk do doja kurrë të shfaqesha dhe të flisja për këtë temë, por do të doja jo vetëm të kujtoj figurën e tyre, por të realizoj dëshirën e mamasë  time për të qenë pjesë e programit tuaj dhe të solidarizohem me dikë”.

Valentina: Meqenëse ka qenë dëshira e zonjës, edhe dëshira ime është që kjo shumë t’i kalojë qendrës ku shkojnë fëmijët atje dhe marrin terapinë.

 

Share With:
Translate »
68 Views