Vajza e sapolindur vdiq, djali rrëfen sakrificën e nënës: Pranoi të shkëmbente jetën e saj për timen
Historia e Hyqmetit, siç shprehet ai në “Ka Një Mesazh Për Ty”, është e dhimbshme dhe shumë dramatike. Prindërit e tij janë nga Filati i Çamërisë, ndërsa vetë ka lindur në Tiranë. Hyqmeti e nisi rrëfimin e tij për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me jetën e prindërve. Nëna e tij mbeti jetime në moshën 13-vjeçare. Në vitin 1942 u martua me babain e Hyqmetit, por pas një viti e gjysmë ai u internua në kampin nazist të Mauthauserit.
Për dy vite, nëna e Hyqmetit nuk dinte asgjë për të shoqin. Pas dy vjetësh ai rikthehet dhe u gjend përpara dilemës, të kthehej te e ëma në Stamboll apo te bashkëshortja në Delvinë. Fitoi zemra dhe u kthye te bashkëshortja duke i sjellë asaj gëzimin më të madh. Çifti vendosi që të linte Delvinën dhe të shpërngulej në Peqin, por jeta kishte rezervuar sprova përpara se t’i bekonte me një fëmijë.
Hyqmet: Atje lindi fëmija i parë se një çift i ri do trashëgimtarë. Lindi fëmija i parë, një vajzë e bukur por që një javë jetoi. Një trishtim i madh për nënën dhe babanë. Pse ishte trishtim për nënën? Sepse motra e saj, më e madhja bëri 9 fëmijë dhe nuk i rroi asnjë nga fëmijët, fatkeqësi e madhe!
Ardit Gjebrea: Dhe mendoi se mos ishte diçka që vinte në familje.
Hyqmet: Pyeti një nga njerëzit e familjes ku ishim të futur me qira dhe i thotë që “ti do ta çosh Nailen, në Tiranë ka një doktor shumë të mirë, quhet Koço Gliozheni”.
Ardit Gjebrea: I famshmi!
Hyqmet: I famshmi Koço! Vjen në Tiranë te disa njerëz të vet, me njohje e çon te materniteti se u bënë 10 vjet pa fëmijë. Dëshira e madhe e një nëne për të pasur një fëmijë, më në fund vjen fati i madh, shtatzënë, duhet të lindte por doktori i thotë që “ajo duhet të shtrohet këtu në Tiranë”. Vjen momenti, 2-3 ditë përpara, vjen doktori, alamet burri, me prezencë, me autoritet, ai kishte emrin e madh, kishte edhe punën e madhe, profesionin e madh, mjeshtërinë e madhe por kishte edhe zemrën e madhe!
Ardit Gjebrea: Çcfarë i thotë nënës?
Hyqmet: “Zonjë, si je? Mirë. E di ti që me lindjen e këtij fëmije ti rrezikon jetën tënde? Doktor, nuk e di, por fëmija si është? Fëmija është mirë, thotë. Le të vdes doktor”, thotë. Hapi sytë doktori.
Ardit Gjebrea: Për veten e saj.
Hyqmet: Po. Si mund të thotë një grua të vdes se do lindë fëmijën? “Po pse kërkon ta bësh një sakrificë të tillë? E bëj për burrin”, tha, “edhe për veten, por e bëj në radhë të parë për burrin. Pse?”, tha. “Po burri im ka qenë i internuar në Gjermani dhe kur erdhi një Janinë nuk shkoi te nëna e vet në Stamboll se u prish Çamëria dhe erdhi më gjeti mua se jam grua pa vëllezër, kam mbetur jetime”.
Ardit Gjebrea: E paparë!
Hyqmet: “Edhe një motër që kam, i lindën fëmijët dhe i vdiqën. Nuk dua ta lë pa fëmijë”.
Ardit Gjebrea: Domethënë ishte kjo sakrifica që ai erdhi tek unë dhe e bëri të tijën, tani unë do t’i jap një fëmijë dhe ai le të shkojë te nëna, me fëmijë. Sa bukur!
Hyqmet: Po. Dhe profesioni i një doktori, një gjinekologu është i tillë që t’i japë jetë fëmijës, t’i japë jetë nënës.
Ardit Gjebrea: Dhe si përfundim?
Hyqmet: Linda unë më 7 nëntor.
Ardit Gjebrea: Dhe nëna?
Hyqmet: Iu gëzua fëmijës dhe fëmija iu gëzua nënës.
Ardit Gjebrea: Dhe jetuan të dy!