Humbi babain në moshën 4-vjeçare, historia e trishtë e Eliosit: E kisha të vështirë të jetoja me njerkun
Elios e nisi jetën me një humbje të fortë. Kur ishte vetëm 4 vjeç, mbeti pa baba dhe vetëm në duart e nënës e gjyshërve. Pas disa vitesh që nënë e bir kishin vetëm njëri-tjetrin, e ëma u martua dhe jeta ndryshoi. Detajet e historisë Eliosi i rrëfen gjerë e gjatë në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Elios: Rrugëtimi ndodhi kur isha 4 vjeç, kur humba babain tim dhe ishte një rrugëtim shumë i vështirë.
Ardit Gjebrea: Nga se e humbi jetën babi?
Elios: Babi nga një infarkt dhe unë e kisha shumë të vështirë humbjen e tij. Gjatë rrugëtimit ishim me gjyshin dhe me gjyshen, mami ishte shumë e re dhe pastaj mami do të detyrohej që të shkëputej për në Vlorë te dajat.
Ardit Gjebrea: Ju jetonit në Tiranë?
Elios: Ne jetonim në Tiranë, por me gjyshin dhe me gjyshen, ata kishin humbur djalin dhe nuk është se e kishin… ishte e vështirë të rrinin e të merreshin edhe me nne kështu që ishte një problem shumë i madh që ne do të detyroheshim të shkonim te dajat në Vlorë. Shkuam te dajat në Vlorë, mami e kishte të vështirë, unë e kisha të vështirë të përshtatesha me ato kushte, pastaj i prezantuan njerkun.
Ardit Gjebrea: Pas sa kohësh mami u lidh me dikë?
Elios: Pas nja 6 vjetësh. E kisha shumë problem që të bashkohesha me njerkun.
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Elios: Po, shumë. Isha mësuar me gjysh dhe mamin, me këta të dy isha mësuar në jetën time.
Ardit Gjebrea: Ndërsa me një njeri tjetër jo.
Elios: Me një njeri tjetër e kisha shumë të vështirë.
Ardit Gjebrea: Bëre ndonjë përpjekje për ta pranuar apo…
Elios: Jo, duke luftuar pak edhe me gjyshin e mamin që nuk doja të bashkëjetonte, por kushtet ishin që…
Ardit Gjebrea: Ti nuk doje që mami të bashkëjetonte me njerkun?
Elios: Jo, doja që ta kisha vetëm timen.
Ardit Gjebrea: Mami të ka vetëm ty fëmijë, po?
Elios: Vetëm mua, unë jam djalë i vetëm.
Ardit Gjebrea: Po njerku?
Elios: Njerku ka dy fëmijë, ka edhe një gocë tjetër.
Ardit Gjebrea: Mami kur shkoi, jetoi edhe me fëmijët e njerkut?
Elios: Po. Mami ka qenë një mbështetje e tyre sepse i ka rritur dhe ka dhënë shumë energji dhe shumë vuajtje edhe me ata.