Proçedohen 5 persona pasi braktisën fëmijët për azil në Itali dhe Francë

Largohen me fëmijët drejt vendeve të BE-së me qëllim përfitimi të azilit social të fëmijëve, por procedohen penalisht nga policia pas sinjalizimit të bërë edhe nga Italia dhe Franca. Pesë shtetas janë larguar nga vendi ynë duke përdorur pikën e kalimit të kufirit në portin e Vlorës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, L. P., 57 vjeç, nga fshati Baltëz, Fier; A. H., 69 vjeç, nga fshati Picar, Vlorë; P. C., 45 vjeç, banues në fshatin Strum, Fier; D. GJ., 49 vjeç, banues në Tiranë dhe B. K., 43 vjeç, banues në fshatin Shtërmen të Elbasanit, janë larguar së bashku me fëmijët e tyre nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Por kthimi ka rezultuar pa fëmijët, të cilët janë në një moshë të mitur.

Sinjalizimi ka ardhur edhe nga pala italiane dhe ajo franceze pranë strukturave të pikës së kalimit të kufirit në portin e Vlorës, ndërsa në bazë të këtij sinjalizimi, fëmijët e shtetasve në fjalë rezultojnë se kanë kërkuar azil social në Itali dhe Francë. Vepra penale Konstatimi i veprës penale të braktisjes së fëmijëve të mitur në bazë të dokumentacionit të vetë policisë, rezulton të jetë kryer nga këta shtetas gjatë 10 ditëve të fundit. Ndaj këtyre personave, Policia e Vlorës bën të ditur se për pesë personat e mësipërm ka nisur tashmë procedimi penal. Ata akuzohen për veprën penale të “Braktisja e fëmijëve të mitur”, ndërsa burime nga policia bëjnë të ditur se pas kontakteve edhe me homologët në Itali dhe Francë, mund të realizohet në vijim edhe rikthimi i fëmijëve drejt Shqipërisë.

Referuar rastit në fjalë, policia kufitare e Vlorës dhe drejtoria e policisë së qarkut Vlorë, ka kërkuar ndërgjegjësim nga të gjithë shtetasit lidhur me mos braktisjen e fëmijëve të mitur në vendet e BE-së, me qëllim përfitimi të azilit social si edhe ka ndodhur në pesë rastet e fundit. Burime nga policia kanë konfirmuar se azili i fëmijëve është kërkuar në Itali dhe një prej tyre në Francë, ndërkohë që policia kufitare ka rikonfirmuar shtimin e masave dhe kontrollit në pikën e kalimit të kufirit në portin e Vlorës, për të evituar të tilla ngjarje.

Më tej, burimet kanë konfirmuar se kontrollet do të ashpërsohen, ndërsa nëse nuk do të kenë dokumentacionin e plotë dhe të duhur, por edhe një shumë monetare të caktuar në bazë të ligjit, do të ketë kthim pas që në pikën e kalimit të kufirit në Vlorë të personave që udhëtojnë me fëmijë të mitur drejt Italisë dhe vendeve të BE-së. Dëshmitë Pesë të proceduarit e mësipërm, janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Vlorës.

Ata janë marrë në pyetje nga oficerët e Policisë, ku kanë dhënë shpjegime për braktisjen e fëmijëve të tyre në një vend të BE-së. Gjatë deklaratës që ata kanë dhënë, mësohet të jenë shprehur se kanë qenë fëmijët ata që kanë patur dëshirë për t’u larguar nga Shqipëria dhe të shkojnë në një vend tjetër. Kjo sipas tyre, ka ardhur për pasojë të kushteve të vështira ekonomike që fëmijët hasen në vendin e tyre.

“Janë vetë fëmijët ata që na detyrojnë t’i braktisim në Itali. Shumë shokë të tyre janë larguar nga Shqipëria dhe janë futur nëpër kampe ku janë pajisur edhe me letra. Duke para ata, fëmijët na kërkojnë që t’i dërgojmë në Itali, Francë apo Gjermani. Kushtet e vështira këtu, na detyrojnë të thyejmë rregullat dhe t’i lëmë fëmijët tanë nëpër rrugët e Europës”, janë shprehur ata gjatë dëshmisë.

Share With:
Translate »
917 Views