10 mami të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në pritje të ëmbël
Një histori e veçantë dhe prekëse vjen nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku 10 mami, që çdo ditë kujdesen për gratë shtatzëna dhe foshnjat e sapolindura, sot po përjetojnë vetë mrekullinë e jetës.
Në faqen zyrtare të këtij materniteti, u publikua një mesazh i mbushur me emocion, ku theksohet se këto profesioniste të shëndetit, të njohura për punën e tyre të palodhur, tashmë mbajnë brenda vetes bekimin më të madh, pritjen e një jete të re.
Ky rast i veçantë ka ngjallur gëzim dhe emocion jo vetëm te stafi mjekësor, por edhe te qytetarët që e ndoqën lajmin në rrjetet sociale. Shumë komentues e kanë cilësuar këtë si një “bekim të dyfishtë”, duke vënë në dukje se mami jo vetëm sjellin jetë çdo ditë, por edhe vetë janë bërë bartëse të këtij misioni të shenjtë.
Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është një nga institucionet kryesore të kujdesit për nënën dhe fëmijën në vend.