Fëmija juaj nuk arrin të përqendrohet më shumë se 2 minuta? Provoni këto ushtrime argëtuese për përmirësimin e fokusit
Fëmijëria e hershme është periudha më e rëndësishme për zhvillimin e aftësisë së përqendrimit dhe të vëmendjes, përmes aktiviteteve zbavitëse. Shumë fëmijë përballen me vështirësi në këtë aspekt, ndërsa studimet tregojnë se disa aktivitete mund të ndihmojnë dukshëm në zgjatjen e kohës së fokusit dhe përmirësimin e përqendrimit
Kur janë shumë të vegjël, fëmijët janë plot energji, kureshtarë dhe me tru ende në zhvillim, ndaj shpesh kalojnë nga një aktivitet në tjetrin. Kjo është diçka krejtësisht natyrale në moshat e hershme, por përmes disa ushtrimeve të këndshme mund t’i ndihmoni që gradualisht të zhvillojnë aftësinë për t’u përqendruar për një kohë më të gjatë. Mbani parasysh: të zgjatet fokusi nuk do të thotë që fëmija duhet të qëndrojë gjatë i palëvizshëm, por që të gjenden aktivitete që e tërheqin dhe e mbajnë të angazhuar.
Një studim i Universitetit të Finlandës Lindore ka treguar se periudhat e shkurtra të aktivitetit fizik ndikojnë pozitivisht në aftësinë e fëmijës për t’u fokusuar. Fëmijët e moshës 7–13 vjeç u ftuan të bënin një stërvitje të lehtë nëntëminutëshe përpara se të kryenin teste kognitive. Rezultatet treguan se ata që kishin ushtruar treguan vëmendje dhe kujtesë pune më të mirë sesa ata që kishin qëndruar ulur.
Një studim tjetër i vitit 2023, i publikuar në revistën Springer Nature, analizoi efektet e një kurrikule të bazuar në vëmendje dhe mirësi (MBKC) mbi funksionet ekzekutive dhe zhvillimin social-emocional të fëmijëve parashkollorë. Rezultatet treguan përmirësim të dukshëm në sjelljen sociale, kontrollin emocional dhe gatishmërinë akademike. Edhe prindërit vunë re një rritje të empatisë kognitive tek fëmijët.
Në një intervistë për Times of India, dr. Anita Madan, drejtuese e zhvillimit të kurrikulës në EuroKids, sugjeroi disa aktivitete të provuara që ndihmojnë në rritjen e fokusit dhe vëmendjes tek fëmijët parashkollorë, transmeton Telegrafi.
