“Sa herë e shihja në gjumë qaja…” Evi Reçi me një dedikim për djalin në Fest64
Evi Reçi ishte sot e ftuara e Andri Xhahut në emisionin “Në Radio” në RTSH.
Këngëtarja merr pjesë në Festivalin e Këngës (Fest64) në RTSH për herë të katërt. Ky është projekti që e rikthen në muzikë pasi solli në jetë djalin e saj, Asterin.
“Dua t’ia dedikoj këtë pjesëmarrje djalit”, tregon Evi, e cila shton se kënga është krejt ndryshe nga çfarë u është kënduar deri më tani fëmijëve.
“Ka pasur netë, teksa vija në gjumë djalin, më rridhnin lotët pa kuptim. Mendoja se çfarë po ndodh, pse po qaj? Sa herë e shihja që flinte si engjëll, filloja qaja. Herë nga lodhja, herë nga emocioni, nga ndjenjat e forta, përplasje ndjenjash. Ti për herë të parë përballeshe me një ndjenjë të tillë të papërshkrueshme”.
“Kodi i jetës”, i kompozuar nga Enis Mullaj, me tekst të Eriona Rushitit, është një këngë e fortë që pasqyron frikërat e një nëne për të ardhmen e fëmijës.
“Frikërat janë të shumta, janë pak më të errëta. Frikërat që kam unë për të ardhmen e djalit. Tregoj në këngë çfarë ndjeva kur u bëra nënë, çfarë ndjej tani por edhe për frikërat e së ardhmes. Është një minidialog mes meje dhe djalit”.
Evi zbulon se kënga është një etno-dance moderne.
“Do dëgjojmë folk, muzikë elektronike, pak opera në mënyrën time të të kënduarit. Jemi ndikuar nga trendet që ekzistojnë në Europë”.
I pari që e ka dëgjuar këngën është djali i këngëtares.
“Asteri është i ndjeshëm ndaj muzikës. Kur dëgjoi demon e këngës filloi të lëvizte, të kërcente. Unë dhe Enisi u shtangëm nga reagimi i tij. Në atë çast thashë ‘Ok, kjo është kënga e duhur’. Sa herë që e këndoj në shtëpi ai qesh, ndalon lojën. Ai nuk e di që kënga është për të, por kur të rritet do ta ketë kujtim shumë të bukur”.