Merret vendimi, ja sa vite caktoi gjykata për vrasësin e Martin Canit

Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar me 16 vite burg Mario Përlleshajn, i cili u shpall fajtor për vrasjen e Martin Canit dhe tentativën e vrasjes së Luis Meçajt. Përlleshaj është dënuar me 12 vite burg për vrasjen e Canit dhe 10 vite për tentativën e vrasjes së Meçajt, ndërsa në bashkim të dënimeve, ai do të vuajë një total prej 16 viteve heqje lirie.

Gjykata ka cilësuar vrasjen e Martin Canit si një vrasje në rrethana të tjera cilësuese, ndërsa ka shpallur tentativën për vrasjen e Luis Meçajt gjithashtu në rrethana të tjera cilësuese. Në seancën gjyqësore morën pjesë vetëm babai i të ndjerit Martin Cani dhe Luis Meçaj.

Avokati i familjes Cani ka reaguar pas shpalljes së vendimit, duke thënë se “Kemi një vendim gjykate që është i drejtë. Janë cilësuar dy vrasje në vendim. Ne mendojmë që nuk është çështje dënimi, por drejtësie.”

Pas marrjes së vendimit kjo ishte deklarata e familjes:

Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne, familja e Martin Canit, kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.

Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale, vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.

Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.

Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.

I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.

Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.

Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.

Ne do të vazhdojmë misionin tone me:

-Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
-Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
-Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.
-Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.

Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.

Share With:
Translate »
92 Views