Festa në familjen e Edlira Çepanit: Forcën e gjej te sytë e fëmijëve të mi!
Në prag të festave, dhjetori mbledh njerëzit rreth ngrohtësisë së shtëpisë dhe gëzimit familjar, duke krijuar tradita të vogla, por të paharrueshme. Kështu na rrëfen dhe Edlira Çepani teksa ndalet në dhjetorin e saj. Ajo ndan me ne, jo vetëm traditat që mbartin vite kujtimesh, por edhe forcën e brendshme që e ka shoqëruar në një vit sfidues. Ajo flet për dashurinë, për sfidat, për fëmijët që i japin dritë çdo dite, për humbjet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, por edhe për guximin për të ngritur zërin përballë padrejtësive. Në këtë rrëfim të sinqertë për revistën “Bordo”, Edlira na çon pas kuintave të jetës së saj si nënë, aktiviste dhe grua që beson se dashuria, shpresa dhe besimi janë udhërrëfyesit më të fortë të njeriut, jo vetëm në dhjetor, por në çdo ditë të vitit.
Edlira jemi në dhjetor, çfarë simbolizon për ju ky muaj?
Dhjetori simbolizon shumë gjëra për mua. E para shumë punë dhe afate për t’u plotësuar në fund të vitit. Por, gjëja më e bukur e dhjetorit është atmosfera, koha që kalon me familjen, koha që kalon me fëmijët, janë ato gëzimet e festave. Dhjetori është një muaj shumë kompleks, por edhe një nga muajt më të bukur të vitit.
Si festoni me fëmijët?
Ne kemi një traditë në familje që çdo festë, qoftë e vogël apo e madhe, e festojmë shumë. Dhjetorin e kemi me merak të veçantë. E bëjmë pemën shumë para të tjerëve dhe e heqim më vonë. Kemi disa tradita tonat për drekën ose darkën e Krishtlindjes, dhuratat që bëjmë me fëmijët, kohën që kalojmë me të gjithë familjen e madhe, mundësinë për të ndihmuar ata që janë në nevojë dhe që nuk i festojnë dot festat njësoj si ne. Tradita të vogla, por të rëndësishme për të bërë të lumtur fëmijët.
Cili është kujtimi më i dashur me Gertin dhe fëmijët gjatë festave që ju shoqëron gjithmonë?
Kujtimi më i dashur është koha e kaluar bashkë. Ne bëmë një pakt me veten dhe njëri-tjetrin kur u bëmë prindër, që nuk do t’ia merrnim asnjëherë kohën fëmijëve për angazhime të tjera. Kohën që kalojmë me fëmijët e kemi patur dhe e kemi gjithmonë shumë të rëndësishme. Dhjetori është një nga ato kohë ku mundohemi të bëjmë të mundur, që gjithë kohën t’i bëjmë fëmijët sa më të lumtur, që ata ta shijojnë deri në fund atmosferën, prezencën e familjes, ato kujtimet e vogla që krijojmë. Ne kemi një nga kujtimet më të bukura, pasi Ajra krijoi një kavanoz të vogël. ku çdo ditë të vitit, fusnim të gjithë letra të vogla ku shkruanim gjërat për të cilat jemi mirënjohës. Kjo është një nga traditat më të bukura që kemi, sepse në fund të vitit e hapim dhe lexojmë për çka kemi qenë mirënjohës gjatë gjithë vitit. Një nga traditat e bukura dhe kujtimet e bukura që kemi është edhe babagjyshi sekret, ku ne marrim emrin e njërit prej anëtarëve të familjes, i bëjmë një dhuratë sekrete dhe pastaj personi duhet ta zbulojë. Udhëtimet, ushqimet, lojërat, të gjitha të orientuara drejt lumturisë së fëmijëve dhe kënaqësisë së tyre në këtë atmosferë të veçantë festash.
A i vazhdoni traditat njësoj si në vitet e kaluara?
Një nga vendimet pas largimit nga jeta e Gertit është që të gjitha traditat t’i vazhdojmë njësoj, sepse ne jemi të gjithë bashkë, ndonëse ai nuk është fizikisht me ne. I vazhdojmë njësoj edhe më të forta se përpara.
Cili është mesazhi për dashurinë, forcën dhe qëndrueshmërinë që ju sjell ky dhjetor?
Vazhdon të jetë një vit dhe një dhjetor i vështirë. Në kohën e festave e ndjejmë edhe më shumë mungesën e atyre që nuk janë fizikisht pranë nesh, por është e rëndësishme të kuptojmë që siç thuhet në Bibël, “tre gjëra kanë shumë rëndësi në jetë: Besimi, shpresa dhe dashuria”. E rëndësishme jo vetëm në dhjetor, por në çdo ditë të vitit është ajo dashuria që ne kemi për njëri-tjetrin dhe që duhet t’ia shprehim njëri-tjetrit çdo ditë.

Cili ka qenë mësimi më i madh që ke marrë nga ky vit?
Mësimi kryesor që kam marrë është që ndonjëherë përballemi me sfida, të cilat nuk i prisnim, me njerëz të cilët nuk na duan apo na sulmojnë pa arsye, që na krijojnë sfida të reja, të cilët na pengojnë për të ecur përpara ashtu siç do donim. Mësimi që kam marrë është që të gjitha këto sfida duhen lënë mënjanë dhe duhet të investojmë tek ata njerëz në jetë, të cilët realisht vlejnë, të cilët na duan dhe meritojnë kohë në jetën tonë dhe të gjithë dashurinë tonë.
A ka një moment të veçantë që e kujton me emocion nga ky vit?
Ka patur momente shumë të veçanta ky vit. Momentet më të bukura që unë kujtoj janë njerëzit, të njohur dhe të panjohur, që më takojnë në rrugë, më përqafojnë dhe më japin forcë. Kjo ka qenë një nga eksperiencat më të bukura, një mbështetje dhe një dashuri e jashtëzakonshme që kam marrë në çdo cep të Shqipërisë, një mbështetje e jashtëzakonshme për të cilët unë jam shumë mirënjohëse.
Mes teje dhe Gertit, kujt i ngjajnë fëmijët dhe si do të mund t’i përshkruanit ata?
Mendoj se kemi qenë me shumë fat sepse fëmijët kanë marrë gjërat më të mira nga secili prej nesh. Ajra, e paralindura jonë, ka një shpirt të jashtëzakonshëm luftarak dhe këmbëngulje të fortë për çdo gjë tek e cila beson. Është e shkëlqyer në çdo lëndë në shkollë, por ka pasion dhe talent në pikturë. Është fëmijë shumë i mprehtë, nuk i shpëton asnjë detaj, por njëkohësisht ka dhe buzëqeshjen më të ëmbël në botë. Reinarti, ka ardhur si një vorbull dashurie në familjen tonë. Gjithmonë i qeshur, me një pozitivitet që arrin të çarmatosë këdo që ka përballë, por dhe me shumë respekt për mendimin e tij të cilin e mbron fort dhe me këmbëngulje. Reinarti është një fëmijë që shkëlqen kudo në shkollë, ka pasion të veçantë matematikën, studion me shumë qejf planetët, shtetet e botës dhe është shumë kurioz për gjithçka që e rrethon. Ka një lidhje shumë natyrale me muzikën dhe është një fëmijë shumë empatik. Të dy kanë një botë të madhe dhe na japin një dashuri të pakufishme, na kanë sfiduar ta shohim jetën me sytë e tyre dhe na kanë hapur horizonte të reja që kur kanë lindur. Janë një bekim i jashtëzakonshëm!
Po ti nga cili prind ke marrë më shumë?
Unë jam një kombinim i prindërve të mi. Nga babi kam marrë diplomacinë dhe shpirtin kureshtar për të udhëtuar e për të zbuluar vende të reja, si dhe dëshirën për të ndenjur sa më pranë njerëzve duke mësuar e u frymëzuar prej tyre. Nga mami kam marrë vendosmërinë dhe dëshirën për ta bërë çdo gjë mirë, deri në detajin e fundit. Nga mami kam edhe shpirtin pak rebel, për të kundërshtuar me zë të fortë çdo padrejtësi e gjë që s’më pëlqen, por edhe dhembshurinë. Kam mësuar shumë edhe nga ime motër dhe im vëlla. Linda ka qenë gjithmonë modeli se si mund t’ia dalësh në çdo qëllim që i vë vetes! Nga Arbri jam munduar të marr pak sens humori, por atë e ka natyralisht karakteristikë të vetën dhe të patjetërsueshme ai. Edhe pse është vëllai i vogël kam mësuar gjithmonë prej tij, nga pasioni me të cilin i bën gjërat dhe nga forca dhe shpirti i bukur që ka.

Cilët kanë qenë njerëzit që të kanë mbështetur dhe frymëzuar më shumë në këtë vit të vështirë?
Patjetër gjithmonë familja ime, prindërit e mi, im vëlla, motra ime, të parët, gjithmonë fëmijët e mi që më frymëzojnë dhe fuqizojnë çdo ditë. Sa herë hap sytë dhe i shoh aty në krah tim. Më kanë frymëzuar dhe mbështetur shumë të afërm, koleg, skuadra ime, të cilët nuk janë vetëm njerëzit me të cilët punoj, por janë bërë pjesë e familjes time dhe, siç e thashë, të gjithë ata njerëz të njohur dhe të panjohur, kanë qenë një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nuk e kanë kursyer kurrë mbështetjen, dashurinë edhe fjalët e mira në këto në këto kohë të vështira.
Ju keni zgjedhur të ngrini zërin për problematika të ndryshme, a keni qenë objekt i sulmeve?
Është gjithmonë më e thjeshtë të heshtësh, të vazhdosh jetën dhe të mos reagosh për padrejtësitë, por unë kam zgjedhur të ngre zërin për gjithë ato gjëra që më duken të padrejta dhe mendoj se mund të përmirësohen. E kam parim që çdo gjë që mendoj se mund të përmirësohet duhet ta them. Patjetër që është e vështirë, por kam zgjedhur të flas derisa të kem zë dhe do ta bëj këtë gjatë gjithë kohës.
Si drejtuese e rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, ju keni punuar për promovimin e vajzave dhe grave në politikë dhe në vendimmarrje. Çfarë ju kanë shtyrë për këtë?
Besoj që duhet të flasim sidomos vajzat dhe gratë, që ato të kenë një zë dhe ta përdorin në mënyrën e duhur dhe ku ka më mirë sesa në politikë dhe në vendimmarrje. Zëri i tyre duhet të dëgjohet, të jetë sa më i lartë, i bashkuar për të gjitha problematikat. Besoj se vajzat dhe gratë në politikë mund ta bëjnë ndryshimin.
Cili është mesazhi që u jep vajzave që ndihen të pasigurta për të marrë një rol drejtues?
Drejtimi do guxim. Me guxim hidhen hapat e para, pastaj ti mëson vetë rruga të gjitha hapat e tjera. Eksperienca ka treguar se aty ku vajzat dhe gratë marrin drejtimin, ka shumë zhvillim. Në Shqipërinë tonë kemi shumë nevojë për zërin dhe lidershipin e vajzave dhe grave në çdo fushë.
Cila ka qenë arritja më e madhe që keni në punën me gratë?
Kam patur fatin të punoj me vajza dhe gra nga parti të ndryshme politike, të cilat janë bashkuar për kauza të përbashkëta. Para një viti arritëm të ndalonim që kuota e vajzave dhe grave në vendimmarrje si kandidate nga partitë politike të mos hiqej, që të kemi më shumë vajza e gra në parlament. Janë bashkuar edhe për nisma për ato gra dhe vajza që nuk kanë zë, me buxhete dhe nisma konkrete në të gjithë Shqipërinë.

A ka ndonjë nismë, që publiku mund të presë nga ju vitin që vjen?
Vitin që vjen do ta vazhdojmë punën tonë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe në Mal të Zi, por do të kemi edhe një nismë përmes së cilës do të krijojmë një qendër për të gjithë vajzat, gratë dhe të rinjtë që cilët duan të aftësohen në pjesën e lidershipit dhe në fusha që kanë interes për ta. Një nismë e re dhe sfiduese, që na jep emocion për vitin e ardhshëm.
Si është Edlira pas kamerave të aktivizmit, në jetën e përditshme si nënë?
Edlira në jetën e përditshme është si gjithë nënat e tjera. Çohet në mëngjes, bën gati fëmijët për në shkollë, gatuan, i çon në kurs dhe mundohet të kalojë sa më shumë kohë me ta. Mundohet të mësojë receta të reja me Ajrën, sepse asaj i pëlqen të gatuajë dhe mundohet të kalojë kohë me lojëra matematikore me Reinartin që i ka pasion, të jetë sa më e pranishme, t’i dëgjojë dhe t’i kuptojë sa më shumë.
Cila është beteja më e madhe që keni me veten?
Beteja më e madhe që kam me veten është ajo që në fakt e kemi të gjithë, të zgjedhim rrugën e shkurtër apo rrugën e gjatë. Rruga e shkurtër, ajo e përfitimeve të shpejta, që nuk arrihen në mënyrën e duhur dhe rruga e gjatë, ajo e atyre gjërave që ne bëjmë me shumë mund dhe që na duan më tepër kohë dhe luftë, por që janë realisht më të qëndrueshme. Unë kam zgjedhur gjithmonë rrugën e gjatë, më të vështirën, por më të mirën dhe beteja ime me veten është të mos mbetem asnjëherë pa zë aty ku duhet të flas.
Cila është superfuqia juaj?
Superfuqia ime është këmbëngulja. Jam me origjinë nga Skrapari dhe Vlora, dy vende ku këmbëngulja është karakteristikë kryesore. Nëse punon fort, gjithmonë ja del për çdo gjë.
Ku e gjeni forcën dhe frymëzimin më të madh në ditë të vështira?
Forcën e gjej te sytë e Ajrës dhe Reinartit, të cilët janë arsyeja për të cilën jetoj. Kur shoh Ajrën dhe Reinartin në sy, ndjehem nëna më me fat në botë, ndjehem nëna më e fuqishme për të tejkaluar çdo sfidë që mund të më sjellë jeta, për shkak të fuqisë që ata më japin. E gjej edhe te prehri i nënës sime që është frymëzimi im.
Cilat janë librat apo mendimet që ju kanë shoqëruar gjatë 2025-s?
Ka patur disa libra që më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim gjatë këtij viti. Njëri prej tyre ka qenë “Plani B”, një libër me histori personale, të cilin ua këshilloj atyre që kalojnë momente të vështira dhe tjetri ishte bestselleri “Kurajo”. I treti është libri që po shkruan babai im, për të cilin po e ndihmoj, sepse ai ka qenë gjithnjë udhërrëfyes në jetën dhe karrierën time, ndaj i dëgjoj gjithmonë me shumë dëshirë gjërat që ai ka bërë në jetë dhe që tani po mundohet t’i përmbledhë në një libër të thjeshtë, por shumë frymëzues.
Cili do të ishte mesazhi juaj për vitin 2026 për lexuesit e Bordo-së?
Të dalin para pasqyrës dhe të mos harrojnë se ai njeriu që shohin, është ai që i do më shumë. Investimi, fuqizimi dhe dashuria për veten janë ato llojet e investimeve të cilat nuk na zhgënjejnë kurrë. Uroj ta duan pak më shumë veten dhe të mos harrojnë që gjithçka për të cilën punojnë, mund të arrihet edhe në vende të vështira si kjo Shqipëria jonë. Ta gëzojnë çdo moment me njerëzit e dashur, jo vetëm festat dhe të kalojnë më shumë kohë me veten, familjet dhe njerëzit që realisht i duan.