“Dhimbje e madhe, e pazëvendësueshme” – Linda Rama flet për lidhjen me Aneta Ramën
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Aromë gruaje” në RTSH, bashkëshortja e Kryeministrit, Linda Rama, ka prekur edhe një nga temat më të ndjeshme të ekzistencës njerëzore: humbjen e njerëzve të dashur dhe mënyrën se si ata vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sonë.
Përtej profilit të saj publik, zonja Rama ndau një rrëfim intim mbi raportin e ngushtë që kishte ndërtuar me vjehrrën e saj, të ndjerën Aneta Rama. Ajo theksoi se kjo është hera e parë që flet hapur për këtë marrëdhënie, të cilën e cilësoi si intensive dhe të veçantë.
Duke kujtuar bisedat e gjata dhe mirëkuptimin reciprok, Linda Rama u shpreh se koha me nënën e Edit ishte e mbushur me emocione dhe kujdes.
“Me mamanë e Edit gjithkush tjetër bëhej i tepërt kur ishim ne të dyja. Koha dhe momenti ishte për ne të dyja,” tha ajo, duke shtuar se largimi i saj ishte një dhimbje e madhe, pas së cilës u desh të përcaktohej një rutinë e re jetësore.
“Ishim ende në procesin e njohjes me njëra-tjetrën. Kishim një raport intensiv; një kohë e jetuar me biseda, mendime, emocione dhe kujdes. Kur isha me mamanë e Edit, ndonëse ajo i donte të gjithë, çdokush tjetër bëhej i tepërt. Ai moment dhe ajo kohë ishin vetëm për ne të dyja. Kur e humbet një njeri të tillë, dhimbja është e madhe. E them këtë për herë të parë. Ishte dhimbje e madhe largimi i një njeriu, pas të cilit do të duhej të vendosej një rutinë e re. Ishte një humbje e madhe edhe për Edin. Dhimbja fillimisht e zëvendëson mungesën, por më pas nis e ndihet mungesa. Mua më mungon mamaja e Edit në mënyrë të pazëvendësueshme, por përpiqem ta sjell në përditshmërinë time në çdo lloj forme.”, tha ajo.
Filozofia e humbjes
Zonja Rama foli edhe për përballjen e hershme me vdekjen, duke kujtuar humbjen aksidentale të xhaxhait në moshë të re, një moment kur, sipas saj, “bota e humbi kuptimin”. Ajo nënvizoi se dhimbja fillimisht shërben për të zëvendësuar mungesën, por sfida e vërtetë vjen më pas, kur mungesa fizike bëhet e prekshme.
Megjithatë, mesazhi i saj ishte ai i vazhdimësisë: “Një njeri i madh është produkt i një babai dhe nëne të madhe,” tha ajo, duke theksuar se prindërit vazhdojnë të jetojnë përmes pasqyrimit te fëmijët e tyre.