Trauma emocionale ndryshon fizikisht ADN-në dhe mund të trashëgohet te brezat e ardhshëm
Kërkimet shkencore po hedhin dritë mbi një fakt të fortë: trauma emocionale nuk lë gjurmë vetëm në psikikë, por mund të shkaktojë ndryshime fizike në ADN, të cilat më pas mund të kalojnë nga një brez te tjetri.
Shkencëtarët shpjegojnë se ky proces lidhet me epigjenetikën – mekanizëm biologjik përmes të cilit faktorët mjedisorë, si stresi i fortë apo përjetimet traumatike, vendosin “shenja” kimike mbi ADN. Këto shenja nuk ndryshojnë strukturën bazë të gjeneve, por ndikojnë në mënyrën se si ato aktivizohen ose çaktivizohen.
Studime të ndryshme mbi pasardhësit e të mbijetuarve të Holokausti, si edhe mbi komunitete që kanë përjetuar uri masive apo luftëra, kanë treguar ndryshime biologjike që lidhen me reagimin ndaj stresit dhe rrezikun për sëmundje të caktuara. Gjetje të ngjashme janë vërejtur edhe në studime laboratorike me kafshë, ku pasardhësit shfaqnin ndjeshmëri më të lartë ndaj faktorëve stresues, edhe pse vetë nuk kishin përjetuar traumën fillestare.
Ekspertët theksojnë se këto ndryshime epigjenetike mund të trashëgohen, veçanërisht përmes linjës prindërore, duke sugjeruar se përjetimet e rënda të një brezi mund të ndikojnë në shëndetin fizik dhe mendor të brezave që vijnë.
Zbulimet po hapin një kapitull të ri në kuptimin e lidhjes mes historisë familjare dhe shëndetit, ndërsa studiuesit po punojnë për të kuptuar nëse këto ndryshime mund të zbuten apo të përmbysen në të ardhmen.