Shqipëria jashtë normales biologjike, lindin më shumë djem se vajza

Në një periudhë kur lindshmëria në Shqipëri vazhdon të tkurret dhe popullsia po pakësohet, raporti mes lindjeve të djemve dhe vajzave mbetet mbi nivelin e konsideruar biologjikisht normal.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2024 erdhën në jetë 12.094 djem dhe 11.216 vajza, çka përkthehet në rreth 108 djem për çdo 100 vajza, ndërkohë që norma natyrale llogaritet rreth 105.

Diferenca bëhet edhe më e theksuar te lindjet e katërta e më pas, raporton Monitor. Në këtë kategori, statistikat tregojnë 113 djem për çdo 100 vajza. Edhe te lindjet e para dhe të treta, raporti mbetet mbi kufirin biologjik normal.

Të njëjtat të dhëna të INSTAT tregojnë se numri i përgjithshëm i lindjeve në vend zbriti në 23.310 gjatë vitit 2024, me 307 më pak krahasuar me një vit më herët. Ndërkohë, indeksi i fekonditetit qëndron në 1.64 fëmijë për grua, dukshëm nën pragun 2.1 që konsiderohet i domosdoshëm për zëvendësimin natyral të popullsisë.

Raporti gjinor në lindje konsiderohet një tregues i rëndësishëm për organizatat ndërkombëtare, pasi devijimet e vazhdueshme mbi normën natyrale shpesh lidhen me preferencën për lindjen e djemve. Shqipëria është përmendur prej vitesh në studime demografike si një nga vendet e Ballkanit ku ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm.

Sipas sociologëve në shtetet ku ky fenomen ka qenë më i theksuar, si Kina dhe India, janë shfaqur pasoja sociale afatgjata, pasi një pjesë e burrave mbeten jashtë krijimit të familjeve. Sipas tyre, kjo ndikon jo vetëm te lindshmëria, por edhe te konsumi familjar dhe stabiliteti social.

Për Shqipërinë, situata rëndohet më tej nga dy zhvillime paralele: ulja e vazhdueshme e lindjeve dhe emigrimi i lartë i të rinjve.

Raporti publikohet në një kohë kur struktura demografike e vendit po pëson ndryshime të shpejta. Popullsia e Shqipërisë ra në 2.36 milionë banorë në fund të vitit 2024, ndërsa pesha e grupmoshës mbi 65 vjeç po rritet dhe emigracioni neto vijon të mbetet negativ për të dy gjinitë.

Share With:
Translate »
0 Views