Mes tragjedisë në Venezuelë, një foshnjë 18-ditëshe dhe e ëma u bënë simbol i shpresës

Mes shkatërrimit dhe dhimbjes që kanë lënë pas dy tërmetet e fuqishme në Venezuelë, një histori po prek njerëzit në mbarë botën. Një foshnjë vetëm 18 ditëshe u nxor e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur, plot 32 orë pasi lëkundjet sizmike goditën vendin.

Pamjet e siguruara nga Agence France-Presse tregojnë ekipet e shpëtimit duke punuar gjatë natës, nën dritën e prozhektorëve, mbi një grumbull të madh rrënojash në qytetin La Guaira, zona më e goditur nga katastrofa. Në momentin kur foshnja u nxor nga rrënojat, të pranishmit shpërthyen në duartrokitje.

Në video shihet se si shpëtuesit ia kalojnë me kujdes foshnjën njëri-tjetrit, të mbështjellë me një batanije, përpara se ta pastrojnë dhe t’i japin ndihmën e parë. Sipas personit që publikoi pamjet në rrjetet sociale, foshnja kishte qëndruar e bllokuar për 32 orë dhe, për mrekulli, nuk kishte pësuar dëmtime serioze. Nëna e saj u shpëtua rreth një orë më vonë.

Ndërkohë, bilanci i tragjedisë vazhdon të rëndohet. Të paktën 920 persona kanë humbur jetën, mijëra të tjerë janë plagosur dhe më shumë se 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur pas dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën veriun e Venezuelës të mërkurën.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë përqendruar kryesisht në La Guaira, ku ndodhet epiqendra e katastrofës. Autoritetet kanë bërë të ditur se hyrja në zonë do të lejohet vetëm me autorizim të posaçëm, pasi trafiku dhe prania e madhe e njerëzve po vështirësojnë punën e ekipeve të emergjencës.

Megjithatë, shumë banorë nuk kanë pritur ndërhyrjen e autoriteteve. Ata kanë nisur vetë kërkimet për familjarët dhe miqtë e tyre, duke u ankuar se ndihma shtetërore nuk ka qenë e mjaftueshme në zonat më të goditura.

“Çdo person i shpëtuar është një mrekulli”, deklaroi presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Shet Shqip (@shetshqip)

Share With:
Translate »
15 Views