Protestoi për 32 ditë me djalin e paralizuar, hapet GoFundMe për babain e arrestuar
Babai i djalit të paralizuar u arrestua gjatë protestës, shqiptarët mbledhin shumën e madhe në GoFundMe brenda 24 orëve..
Një apel për ndihmë i është drejtuar qytetarëve shqiptarë pas arrestimit të Altin Hilës, i cili u ndalua nga policia gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit dhe vijon të mbahet në ambientet e Komisariatit nr. 3 në Tiranë.
Altin Hila u bë i njohur gjatë javëve të fundit pasi mori pjesë për 32 ditë radhazi në protestat qytetare, shpeshherë i shoqëruar edhe nga djali i tij i paralizuar, për të cilin familjarët thonë se ka status invalidi. Pamjet e tij në protestë prekën shumë qytetarë, ndërsa arrestimi i tij ka sjellë reagime dhe solidaritet në rrjetet sociale.
Për t’i ardhur në ndihmë familjes, të afërmit kanë hapur një fushatë GoFundMe, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë sipas mundësive.
Në apelin e publikuar thuhet:
“Në shenjë solidarizimi për atdhedashësin tonë z. Altin Hila, që protestoi për 32 ditë me fëmijën e tij të paralizuar, po bëjmë këtë mbledhje fondesh për të lehtësuar sadopak situatën e tyre familjare.”
Sipas familjarëve, kush dëshiron të ndihmojë ose të marrë më shumë informacion mund të kontaktojë drejtpërdrejt bashkëshorten e Altin Hilës, Linditën, në numrin e telefonit të publikuar në faqen e fushatës.
Ndërkohë, jashtë Komisariatit nr. 3 vijojnë të qëndrojnë prej orësh dhjetëra protestues, të cilët kërkojnë lirimin e të gjithë qytetarëve të ndaluar gjatë protestës së fundit para Kuvendit.
Ne po e publikojmë këtë apel duke ju ftuar ta shperndani sa më shumë me shpresën që çdo qytetar që ka mundësi të japë kontributin e tij për të mbështetur këtë familje në një moment të vështirë.