Penelope Cruz: U bëra “cool” për fëmijët e mi falë Bad Bunny-t
Si mund të bëhesh “cool” në sytë e fëmijëve adoleshentë? Për Penelope Cruz, përgjigjja ishte e papritur: duke u ngjitur në skenë gjatë një koncerti të Bad Bunny.
Aktorja spanjolle 52-vjeçare e tregoi me humor këtë histori gjatë emisionit Hot Ones, ku zbuloi se këngëtari portorikan, idhulli absolut i fëmijëve të saj Leo (15 vjeç) dhe Luna (12 vjeç), i ka dhënë asaj një status krejt të ri në familje.
Penelope rrëfeu se ishin pikërisht fëmijët e saj, të lindur nga martesa me Javier Bardem, ata që e njohën me muzikën e Bad Bunny.
“Fillimisht u thosha: ‘Këto tekste nuk janë aspak për ju’”, tregoi ajo duke qeshur, duke iu referuar përmbajtjes eksplicite të disa këngëve të artistit. “U përpoqëm t’ua kufizonim dëgjimin për një periudhë, por më pas e gjeta veten duke e dëgjuar edhe unë dhe duke i kënduar vazhdimisht këngët e tij.”
Me kalimin e kohës, pasioni për Bad Bunny u kthye në një aktivitet familjar. Penelope tregoi se kishte ndjekur së bashku me Leo dhe Lunën koncertin hapës të rezidencës së artistit në Porto Riko, vendlindja e tij dhe më pas edhe pesë koncerte të tjera të turneut botëror.
Momenti më i veçantë ndodhi gjatë koncertit të parë, kur Bad Bunny, emri i vërtetë i të cilit është Benito, e ftoi të ngjitej në skenë për të thënë frazën ikonike “Acho, PR es otra cosa”, që hap këngën “VOY A LLeVARTE PA PR”.
Por shpërblimi më i madh nuk ishte duartrokitja e publikut. Ishte reagimi i fëmijëve të saj.
“Për herë të parë, fëmijët e mi më thanë: ‘Mami, tani po, mund të themi që je cool’”, rrëfeu aktorja me buzëqeshje. “Prandaj faleminderit, Benito! M’u deshën gjithë këto vite që ta dëgjoja këtë prej tyre.”