“Mbase gënjeva”/ Neda Balluku kërkon ndjesë publike pas divorcit nga Ogreni

eda Balluku ka bërë një nga rrëfimet e saj më të hapura dhe personale, disa muaj pasi ndarja nga Ogren Balluku u bë publike. Përmes një shkrimi të gjatë, ajo u ka kërkuar ndjesë njerëzve që e kanë ndjekur ndër vite, duke pranuar se imazhi që kishte përcjellë për jetën, martesën dhe familjen e saj nuk përputhej me realitetin që ajo po jetonte.

“Mbase gënjeva”, shkruan Neda, duke e nisur kështu një reflektim të fortë mbi mënyrën se si për vite me radhë kishte folur dhe kishte lënë të kuptohej publikisht se kishte ndërtuar familjen dhe marrëdhënien që dëshironte.

Ajo shpjegon se nuk bëhej fjalë për gënjeshtra të qëllimshme, por për një realitet që edhe vetë kishte pasur nevojë ta besonte.

“Gënjeshtrat e mia nuk ishin të errëta, por nuk ishin as të bardha. Nuk ishin të qëllimshme edhe pse për mua të nevojshme. Nuk ishin për një arsye, por edhe jo pa shkak. Prej vitesh, edhe pse në një formë që më shumë lija të kuptoja sesa tregoja vërtet, krijova një perceptim të gabuar publik për sesi ishte jeta ime, marrëdhënia ime dhe familja ime”, shkruan ajo.

Për Nedën, kuptimi i asaj që kishte ndodhur duket se ka ardhur pas një procesi të gjatë reflektimi. Ajo pranon se familja që prezantonte publikisht ishte, në njëfarë mënyre, edhe familja që ajo vetë dëshironte të kishte.

“Pas shumë vitesh pune me veten dhe reflektim të pambarimtë, kuptova se imazhi publik që krijoja ishte veçse ëndrra dhe iluzioni im. Dhe nevoja ime për të besuar se ia kisha dalë të krijoja diçka të bukur. Ajo që do kisha dashur jeta ime të ishte dhe mbase, nëse do e trumpetoja apo thjesht lija ta kuptoja, do ndodhte. Ose thjesht do e besoja dhe vetë.”

Rrëfimi merr një tjetër peshë kur vendoset përballë historisë së saj me Ogren Ballukun.

Neda dhe Ogreni u njohën në vitin 2010, gjatë pjesëmarrjes së tyre në edicionin e katërt të “Big Brother Albania”. Historia e dashurisë që nisi përpara kamerave vazhdoi edhe jashtë shtëpisë dhe në vitin 2015 ata u martuan.

Për rreth 15 vite, nga njohja deri te ndarja, ata ishin një nga çiftet e njohura të showbiz-it shqiptar. Nga marrëdhënia e tyre erdhën në jetë tre fëmijë, dy djemtë Serzh dhe Zai dhe vajza Suzie Ann.

Por në nëntor të vitit 2025, pas një periudhe me aludime për krizë në çift, Neda konfirmoi publikisht se ajo dhe Ogreni po ndaheshin dhe se kishin nisur procesin e divorcit pas rreth 10 vitesh martesë.

Në atë kohë, Neda tregoi se problemet mes tyre nuk kishin nisur papritur. Sipas saj, marrëdhënia prej vitesh nuk ishte më e shëndetshme dhe ata prej një periudhe jetonin të ndarë. Ajo zbuloi gjithashtu se çifti kishte kaluar një tjetër krizë të fortë në vitin 2020, por atëherë kishin vendosur të përpiqeshin sërish për të mbajtur familjen të bashkuar.

Nga ai pajtim, siç ka treguar vetë Neda, erdhi më pas në jetë edhe vajza e tyre e vogël.

Në rrëfimin e saj të ri, ajo duket se shkon edhe më tej. Këtë herë nuk flet vetëm për fundin e një martese, por për hendekun që kishte ekzistuar prej vitesh mes realitetit privat dhe imazhit publik të saj.

“Ndiej fort, së tepërmi, të kërkoj ndjesë. Komunikimi me njerëzit duhet të jetë i sinqertë, i pastër, i vërtetë. Sidomos për dikë si unë që dua t’i përkushtoj jetën komunikimit publik.”

Neda pranon se, ndërsa kishte qenë e sinqertë me publikun për atë që ishte si person, nuk kishte arritur të tregonte me të njëjtën transparencë realitetin e marrëdhënies në të cilën jetonte.

“Ndonëse kam qenë e ndershme për të treguar se cila isha, nuk bëra dot të njëjtën gjë për jetën në të cilën ndodhesha.”

Megjithatë, fundi i martesës nuk duket se ka ndryshuar bindjen e saj për dashurinë dhe familjen. Përkundrazi, ajo thotë se vazhdon të besojë tek një familje e shëndetshme dhe tek një marrëdhënie ku dy njerëz zgjedhin çdo ditë njëri-tjetrin përmes dashurisë dhe respektit.

“Ende sot besoj me gjithë zemër tek forca e familjes së ndershme dhe të shëndetshme. Tek partneriteti i sinqertë, i thellë, i prekshëm mes dy njerëzve që zgjedhin njëri-tjetrin çdo ditë sepse duhen dhe respektohen. Zemra ime lëngon për këtë. Por nuk mundem të mos kërkoj ndjesë që këtë e transmetova për vite me radhë, pa qenë aspak e vërtetë.”

Pas konfirmimit të ndarjes, raporti mes Nedës dhe Ogrenit u bë sërish objekt i vëmendjes mediatike në fillim të vitit 2026, kur çështjet mes tyre mbërritën edhe në dyert e gjykatës. Të dy palët ngritën pretendime ndaj njëri-tjetrit, ndërsa Neda kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje. Për shkak të natyrës së pretendimeve dhe faktit se në qendër të situatës janë edhe tre fëmijët e tyre, Neda ka kërkuar vazhdimisht që kjo pjesë e jetës së saj të trajtohet me privatësi.

Edhe në statusin e fundit ajo pranon se prej afro një viti dëgjon versione të ndryshme për realitetin e saj të ri, por thotë se nuk fajëson askënd për këtë.

“Si mund t’i dinë të huajt të vërtetat e mia kur mua m’u deshën vite t’i pranoja dhe kuptoja vetë?!”, shkruan ajo.

Në fund, Neda u drejtohet pikërisht njerëzve që e kanë ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve, nga koha kur u bë e njohur në “Big Brother”, te rikthimi i saj në ekran dhe puna në televizion.

“Faleminderit për të gjitha. Që ende më ndaloni në rrugë. Që ende më shkruani. Dhe ju dua shumë gjithmonë. ♥️”

Një ndjesë publike, por mbi të gjitha një pranim se pas imazhit të familjes së lumtur që publiku kishte parë për vite me radhë, ekzistonte një realitet krejt tjetër, të cilin, siç thotë vetë Neda, asaj iu deshën vite për ta pranuar.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Neda Balluku (@nedaballuku)

Share With:
Translate »
8 Views