“Nuk mësohesh kurrë ,,”/ Gazetarja e “Stop”, rrëfen dhimbjen pas humbjes së bashkëshortit

Gazetarja e njohur investigative e “Stop”, Odeta Gjevori, ka ndarë një nga rrëfimet më personale në një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo, ku ka folur për një prej periudhave më të vështira të jetës së saj: humbjen e bashkëshortit dhe përgjegjësinë për të vijuar përpara si nënë e vajzës së saj, Hanës.

E pyetur se çfarë i ka mësuar kjo humbje për forcën që ka një grua, Odeta u shpreh se në momente të tilla nuk ka shumë alternativa: ose qëndron në dëshpërim, ose zgjedh të vazhdojë jetën.

“Që të mos dorëzohemi kurrë, sepse kemi dy alternativa: ose do qurravitemi dhe do mbetemi në atë pjesën e dëshpërimit, ose do ecim përpara”, rrëfeu ajo.

Për Odetën, një nga arsyet më të forta për të mos u dorëzuar ishte vajza e saj. Në momentin e humbjes, Hana ishte vetëm dy muajshe dhe gazetarja tregon se pikërisht përgjegjësia për të e shtyu të gjente forcën për të vazhduar.

“Unë u mundova të eca përpara sepse kisha dhe një arsye tjetër: kisha Hanën. Kështu që nuk duhet të ecja për veten time, po duhet të ecja më tepër për vajzën time”, tha ajo.

Gjatë intervistës, Odeta dha edhe një mesazh të fortë për gratë që mund të përballen me një situatë të ngjashme. Sipas saj, shkollimi, pavarësia dhe ndërtimi i një karriere janë ndër investimet më të rëndësishme që një grua mund të bëjë për veten.

 

“Çdo investim tek vetja është patentë ose siguri, është si puna e atyre agjencive të sigurimit për veten tënde. Sado e fortë të jesh si grua, prapë e do një mbështetje. Mendoj që nuk mësohet kurrë me këtë humbje. Është e sigurt. Por që duhet përshtatur”, tregoi Odeta.

Një tjetër pjesë e ndjeshme e rrëfimit ishte ajo për vajzën e saj, Hanën, sot 5 vjeçe e gjysmë. Odeta shpjegoi se nuk ka dashur t’i japë vajzës një shpjegim të imponuar për mungesën e të atit, duke zgjedhur që ajo ta kuptojë situatën gradualisht dhe natyrshëm.

“Hanës nuk ia kam shpjeguar fare, sepse Hana është një moshë shumë delikate. Në momentin që më ka ndodhur kjo fatkeqësi, Hana ka qenë vetëm 2-muajshe dhe nuk e ka konceptin e prindit tjetër. Nuk dua që të ndikoj në psikologjinë e saj, jam shumë e kujdesshme. Sigurisht që çdo gjë do vijë me kohë. Ajo do ta mësojë gjatë kopshtit, gjatë shkollës, do t’i kuptojë gjërat, por ta kuptojë natyrshëm, s’kam pse e ndikoj unë”, tha Odeta Gjevori.

Share With:
Translate »
1 Views