“4 herë të dështuara” Orinda Huta rrëfen vështirësitë për të pasur një fëmijë të dytë

Dëshira për të zgjeruar familjen mbetet një nga ëndrrat më të mëdha të Orinda Hutës. E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, moderatorja ka folur hapur për rrugëtimin e vështirë drejt një shtatzënie të dytë, duke ndarë me publikun përvojën e saj me fertilizimin in vitro (IVF).

Pas katër përpjekjeve të pasuksesshme në Shqipëri, Orinda ka vendosur të mos heqë dorë nga kjo dëshirë. Ajo ka nisur një tjetër rrugëtim në një klinikë në Turqi, duke shpresuar se kësaj here do të marrë lajmin që ajo dhe partneri presin prej kohësh.

Gjatë bisedës, Huta tregoi se përvojat e mëparshme e kanë zhgënjyer, veçanërisht tentativa e fundit në Shqipëri, pas së cilës i është dashur rreth një vit për të gjetur forcën dhe gatishmërinë për të provuar sërish.

Ajo ndau gjithashtu shqetësimin se gratë që përballen me vështirësi për të mbetur shtatzënë shpesh nuk marrin përgjigjet që kërkojnë, ndërsa theksoi rëndësinë e trajtimit të çdo pacienteje sipas nevojave të saj individuale.

“Po provoj dhe do të provoj akoma. Unë e dua shumë një fëmijë të dytë dhe, për sa kohë që trupi na e mundëson akoma dhe me lutje te Zoti, ajo do të ndodhë. Mendoj se nuk duhet të dorëzohemi.

Sot ka shumë vështirësi për gratë dhe nuk gjejnë përgjigje se pse po u ndodh kjo. Tani kam filluar të provoj në Turqi dhe po përpiqem atje. E provova katër herë në Shqipëri dhe nuk ia dola.

Në momentin që nuk doja ta provoja më, sepse pata një zhgënjim herën e fundit, u ndjeva e padëgjuar… sepse ti fillon të kuptosh trupin tënd dhe bën pyetje, ndërsa doktori të thotë ‘Ja, kështu janë statistikat’, dhe ti fillon të kthehesh në një statistikë.

Nuk mund të jetë i njëjti protokoll për çdo paciente. Ditën kur mora vesh që stimulimi nuk shkoi mirë, mbaj mend që ka qenë data 30 dhjetor. Mora telefonatën dhe më thanë ‘Orinda, nuk ia dola dot’.

M’u desh një vit për të rinisur, me kërkesë të klinikës në Turqi që më tha ‘Eja, provoje njëherë te ne’. Tani shpresojmë dhe, nëse Zoti nuk do, mos e sforco atë…”, u shpreh Orinda Huta.

Pavarësisht vështirësive dhe zhgënjimeve që ka kaluar, Orinda duket e vendosur të vazhdojë përpjekjet, duke ruajtur shpresën se një ditë familja e saj mund të zgjerohet.

Për të, kjo dëshirë shkon përtej një vendimi të thjeshtë për të pasur një tjetër fëmijë. Është një rrugëtim emocional, në të cilin besimi, durimi dhe dëshira për t’u bërë sërish nënë mbeten forca që e shtyjnë përpara.

Share With:
Translate »
5 Views