Prindërit denoncojnë zhdukjen e adoleshentes, zbulohet rrjeti i prostitucionit në Tiranë
Denoncimi i prindërve të një adoleshenteje 18 vjeçare, për largimin e saj nga banesa në muajin Prill të këtij viti, zbuloi një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit në Tiranë.
Vajza ishte rrëmbyer nga disa djem dhe ishte mbajtur në një motel për t’u shfrytëzuar për prostitucion.
Ky është momenti kur policia e kryeqytetit arreston dy nga 10 anëtarët e këtij rrjeti në një hotel në afërsi të tregut elektrik në kryeqytet.
Jani Murati, i njohur edhe me emrin, Gëzim Kasemi, apo Nikollaq, ishte koka e rrjetit kriminal. Ai kishte si menaxhere të femrave Albina Kasën, 26 – vjeçe, ndërsa Ruzhdi Gapi, 41 vjeç, ishte taksisti i grupit.
Për çdo vajzë që iu ofrohej për seks klientëve, grupi merrte një pagesë që varionte nga 50 – 150 euro.
Si pjestarë të grupit, u arrestuan edhe Edmond Shkalla, Altin Sulejmanasi dhe Elton Mimini. Tri nga gratë ishin të divorcuara dhe të papuna, çka i detyronte ato të ushtronin prostitucion për të siguruar jetesën.
Hetimi i grupit zgjati 7 muaj, gjatë së cilës policia tha se klientë të grupit ishin bërë edhe njerëz të rëndësishëm të botës së biznesit apo administratës në vend.