Nga Gëzim Tushi: Pa familjen, qytetërimi do të ishte i mërzitshëm…

Me sa duket frazeologjia e përgjithshme sociologjizante për familjen dhe rolin e saj si institucion i jetës private por dhe jetës publike, është e paaftë të përshkruajë deri në fund ndryshimet që kanë ndodhur në tipologjinë, strukturën e brendshme dhe funksionet biologjike e sociale të familjes shqiptare në këtë kohë të turbullt konceptualisht të jetës postmoderne. Ekzistenca e krizave të identitetit të familjes modern dhe vështirësitë e interpretimit të qartë të tyre, nuk mund të përballohen me slogane ideologjike, moralizime abstrakte dhe këmbëngulje të verbër për gjërat e kapërcyera nga koha.

Kjo do të thotë se duhet të jesh miop social, të mos pranosh se si të gjitha institucionet e tjera të jetës sociale edhe familja ka shumë problem që kanë dalë në evidence. Në vështrimin sociologjik mund të duket ca e panatyrshme kjo situatë e amullt dhe problematike e statusit të familjes. Kjo ndoshta edhe për shkak të historisë ekzistenciale dhe evolucionit që ajo është duke pësuar. Doemos edhe për shkak se në Shqipëri dy dekada më parë ka qenë e fortë shoqëria tradicionale e bazuar strukturalisht fort mbi familjen e qëndrueshme dhe me funksione të qarta, por që tani ka filluar gjithnjë e më shumë të shfaqë dobësim strukturor dhe përkeqësim të roleve e funksioneve të saj.  Në perceptimin popullor dhe vlerësimin empirik të këtyre dukurive që brejnë familjen shqiptare, ka njerëz që treguesit e mungesës së stabilitetit i konsiderojnë menjëherë dhe në instancë të fundit si shfaqje dhe tregues të “rrënimit të saj”. Në këtë debat social duhet të hyjmë të “armatosur” mirë me argumente të vërteta në se duam të jemi objektivë në vlerësimin me objektivitet të situatës aktuale, duke e parë më gjerë të vërtetën që lidhet me statusin e cënuar të familjes shqiptare. Prandaj është e natyrshme që në debatin që zhvillohet të ndihet prezenca e gjykimeve të ndryshme. Sidomos kur për shkak të përbërjes heterogjene të shoqërisë, ndikimeve të reja konceptuale e ideologjike familja e vënë nën optikën e gjykimeve liberale apo konservatore.

Në fakt përballja me gjykime dhe paragjykime për familjen moderne, për strukturën, funksionin dhe rolin e saj social nuk është vetëm për ne. Ai është bërë shqetësim universal, për shkak se kudo familja është dobësuar, si pasojë e zgjerimit të frymës liberale dhe orientimit individualist të jetës, që janë shoqëruar me “zbutjen” e shumë amortizatorëve të njohur të jetës sociale, midis të cilëve është dezintegrimi i “familjes së zgjeruar”, reduktimi me shpejtësi në nivelin më minimal të mundshëm siç është familja me strukturë bërthamë. Kjo situatë është në disfavor të kohezionit të qëndrueshëm në familjen e sotme.  Prandaj duhet shtuar vëmendja, duhet zgjeruar kujdesi social dhe personal për familjen dhe funksionimin e saj. Iluzionet e krijuara, mitet e deformuara të përhapura nga teoricienë eksentrikë e sociologë të lajthitur, se gjoja koha postmoderne për shkak të thellimin të liberalizmit dhe ekzagjerimit të individualizmit do ta “nxjerrë nga qarkullimi” familjen si strukturë sociale, apo se mund ta bëjë atë strukturalisht të tepërt janë ide kalimtare, probleme mode dhe ekzibicioni momental. Në të vërtetë deri sa të ekzistojë shoqëria njerëzore është e sigurt që pavarësisht nuancave, ndryshimeve strukturore, transformimeve tipologjike familja do të ekzistojë si strukturë thelbësore e jetës private e intime por dhe me rëndësi sociale.  Kjo do të thotë se përtej fantazmagorive të sajuara nga njerëz që e urrejnë familjen, e vërteta është se as sot as në të ardhmen nuk është e mundur që të gjendet, sajohet apo krijohet tjetër institucion që të ketë aftësi, kapacitete e kohezion që të kryejë funksione sociale adekuate, në mënyrë që të mund të zëvendësojnë familjen si të tillë. Është vështirë të gjendet një strukturë e jetës intime e sociale më e mirë se familja. Me gjithë ndryshimet që ajo ka pësuar në strukturë dhe funksione, familja mbetet institucion unik,  absolutisht i pazëvendësueshëm.

Njerëzimi nuk ka krijuar dot “forma alternative” që të jenë të afta të zëvendësojnë në mënyrë organike familjen, rolet e saj endemike intime e sociale. Idetë skizofrenike se ka ardhur koha që familja si institucion të zëvendësohet me forma alternative, është vetëm lajthitje e njerëzve asocialë. Zëra të tillë në trajtë timide kanë filluar të dëgjohen edhe tek ne, duke u nisur nga situata e problemeve të njohura që ka martesa, familja dhe fenomenologjia e seksualitetit. Pavarësisht problemeve kalimtare të njohura, të agravuara familja nuk mund dhe nuk ka nevojë të zëvendësohet. Sepse ajo me gjithë problemet e brendshme që ka dhe krizat e reformimit që po kalon strukturalisht dhe funksionalisht, është institucion bazë i jetës sociale dhe për pasojë nuk është kurrë e “tepërt”.  Përkundrazi, duke parë situatën kalimtare dhe njëherësh duke vlerësuar problemet që ka momentalisht familja shqiptare, mund të themi se në shoqërinë tonë si kurrë më parë, familja jo vetëm nuk duhet sulmuar si gjë pa vlerë apo si strukturë e papërshtatshme, por ajo përkundrazi ka nevojë urgjente të mbështetet në mënyrë që të rimëkëmbet si institucion. Sepse padyshim nga kaotizmi dhe paqartësitë e tranzicionit ka pësuar dëmtime e ruptura. Kjo detyrë është imperative, nxitëse në rrugën e duhur në se jemi të bindur dhe për pasojë mendojmë se në shoqëri nuk ka institucion tjetër social që mund të luajë rolin e “alternativës ndaj familjes.

Situata që kalon shoqëria jonë, problemet e shumta, kontradiktat e thella që ajo ka tregojnë më së pari nevojën urgjente, të pakthyeshme që të merremi me “meremetimin”, shëndoshjen e familjes, duke e vendosuar atë në qendër të kujdesit të politikës, shtetit, shoqërisë civile, medias dhe sensibilitetit qytetar. Në analizë të fundit të situatës së patologjive që shfaqen në gjirin e familjes shqiptare, bashkë me dobësimin e frikshëm strukturor dhe kulturor-edukativ të saj, kemi në një farë mënyre të drejtë të besoj të themi, se momentalisht është i pamjaftueshëm dialogu i përgjithshëm anemik dhe tautologjia sociologjike që zhvillohet për rolin dhe situatën konkrete në të cilën ndodhet në familja shqiptare.

Diskutimet e bëra, të cilat shpesh janë të natyrës empirike, duke e parë familjen si institucionin historikisht të ngurtë apo tradicional, tautologjitë sociologjike të bëra shkel e shko duke i parë problemet e saj përciptas, na detyrojnë të bëjmë reflektimet e duhura për të përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur shëndetin e familjes, duke shëruar patologjitë evidente, duke përmirësuar marrëdhëniet midis pjesëtarëve, rolet e tyre intime e sociale. Debatet për situatën dhe statusin e familjes shqiptare, pikërisht për këto arsye por dhe një varg të gjerë problemesh sociale që burojnë nga mënyra e funksionimit të saj, na detyrojnë të kapërcejmë nivelin e debatit empirik, modën e tautologjisë sociologjike për ta ngritur “piacën” e diskutimit të përgjithshëm për të krijuar kushte të konceptimit të drejtë të familjes.  Fokusimi ndryshe tek problemet konkrete dhe shqetësimet metafizike për ekzistencën dhe rolet e reja të familjes shqiptare, janë detyrim madhor për kohën postmoderne. Familja është institucioni kryesor jo vetëm në kuptimin e organizimit të jetës individuale, por është institucion bazë unikal i organizimit dhe strukturimit të jetës sociale në shoqëri. Nuk kam asnjë dyshim, pa ekzistencën dhe përpjekjet sociale për mirëmbajtjen e vazhdueshme të familjes, pa e bërë atë strukturë të vlerësuar të jetës intime, private dhe çështje të jetës publike ajo nuk mund të jetë e fortë dhe e qëndrueshme. Por pa familjen në qendër, qytetërimi ynë do bëhet problematik nga ana sociale dhe jeta e njeriut individualisht dhe ekzistencialisht do mbesë një relacion monoton tejet i mërzitshëm.

Familja, situata dhe statusi i saj duhen parë edhe në një aspekt tjetër, gjithashtu me vlerë dhe shumë i rëndësishëm. Sepse jo thjesht në kuptimin teorik filozofik dhe psikosocial por dhe në praktikën empirike të formimit të njeriut, duket qartë se dy rrethana janë determinante për karakterin dhe personalitetin e njeriut, statusi i familjes dhe rrethanat shoqërore në të cilat ai formohet. Unë besoj se pavarësisht peshës së përgjegjësisë që kanë rrethanat sociale që ndikojnë në formimin e njeriut, por që janë faktorë që gjenden të gatshëm të pavarur nga ne, familja është dhe mbetet faktori më i brendshëm, me shumë rëndësi dhe forcë ndikuese mbi karakterin dhe zhvillimin e personalitetit të tij.  Ndaj në kohën tonë duke parashikuar natyrën kontroversale dhe të paqartë, kaotike dhe të ndryshuar të rrethanave shoqërore, me rëndësi është që të rregullojmë familjen tonë, ta bëjmë institucion me mision të qartë në formimin e njeriut me atë “fibër personale”, që të jetë në gjendje të përballojë jo thjesht jetën me dinjitet por që me dinjitet të përballet edhe me rrethanat sociale. Në këto kushte ajo që na kërkohet dhe që duhet ta bëjmë medoemos është të përpiqemi të gjithë politika, shteti, shoqëria civile, media dhe veçanërisht qytetarët të bëjmë atë që duhet në mënyrë që t’i japim stabilitet të ri familjes.

Nuk ka shoqëri të shëndetshme me familje të paqëndrueshme, jo funksionuese apo akoma më keq të përçara. Padyshim, tashmë shoqëria jonë është nën peshën e ndikimit të faktorëve dezintegrues të familjes. Në këto kushte familja shqiptare është nën goditjet e forta të tendencës për “çorganizimin dhe dobësimin e “funksionimit social”. Fakti që familjet vuajnë nga mungesa e kohezionit, dhuna, divorci dhe zgjerimi i përmasave të krimit në të, nuk ka nevojë për më shumë koment. Është në përmasa shqetësuese fenomeni i “erozionit të familjes” në Shqipëri. Duhet ndalur në se duam të kemi shoqëri të shëndoshë. Unë besoj se vazhdimi i “revolucionit” për demokratizimin e familjes shqiptare, duhet të ketë si objektiv madhor “horizontalizimin” e “pushtetit”, “thyerjen” e vertikalitetit maskilist e paternalist të marrëdhënieve të njerëzve brenda saj. Sidomos paternalizmin në raport me fëmijët dhe tendencën shpërfillëse të personalitetit të gruas. Është imperative që në këto kushte të punojmë me “inat”, të nxitim Lëvizjen Sociale për forcimin e familjes shqiptare. Vetëm kështu do mund të sigurojmë zhvillime demokratike, strukturore e funksionale duke e orientuar ecjen e saj në favor të konsolidimit strukturor dhe rolit social.

Share With:
Translate »
638 Views