E bija i shkruan të atit mësues: Ja çfarë më bën të reflektoj kaq shumë rreth luksit që kam sot

Ami Muçka është një vajzë e panjohur për publikun por ne vendosëm ta publikojmë këtë letër për vetë mesazhin e fuqishëm e pozitiv që përcjell.
Ami, sot një studente në Tiranë, i shkruan të atit Agron Muçka i cili punon si mësues në Devoll prej më shumë se 20 vitesh.
Çdo koment i yni mbi këtë letër, do ishte i tepërt ndaj po ju lemë ta shijoni si më poshtë:
“O ba, sa libra duhet të lexoj, që të bëhem si ty?
-Që të bëhesh qorr si unë? -tallej ai me mua.
-Jo, jo.. që të jem kaq e ditur sa ty,
-i përgjigjesha seriozisht unë, duke varur buzët, që të merrja përgjigje të saktë, pa devijime.
-Kur isha unë sa ty,gjatë verës, në një fletore të pastër, shkruaja në çdo faqe, një nga një, shkronjat e alfabetit…pastaj për çdo libër të lexuar me gërmën që fillonte titulli, e mbaja shënim,që kur të fillonte shkolla t’i kisha të ruajtura e t’ja rrëfeja ç’kisha lexuar mësuesve nëse na pyesnin.
…pas një momenti çudie që si s’më kishte shkuar mendja edhe mua, frymëzohesha e i vija pikat që s’kisha model e idhull tjetër veç Ba-së tim, që bashkë me trashëgiminë gjenetike,më përcolli edhe dashurinë për dijen,për librat,për të mos rreshtur së pyeturi, së qëni kurioze e së lexuari.
Këtë nuk e bënte duke më bërë morale ushtarake, po i binte anash,duke treguar historitë e veta të fëmijërisë ,ngaqë e dinte që do funksiononin sepse unë do zgurdulloja sytë gjithë kureshtje,do merrja mesazhin e do doja të veproja njësoj si ai.
-Romani i parë që kam lexuar është “Aventurat e Gozhdës”,- më thoshte …boh, sa histori të bukura që ka!
Kaq mjaftonte që unë të vrapoja te biblioteka e librave të vyer të fëmijërisë së tij,që i ruan me shumë fanatizëm akoma e sot, e të lexoja edhe unë po të njëjtin roman të parë.
Me një fuqi të pavullnetshme kam dashur ti ngjasoj shumë…sidomos për atë pjesë shkencore të trurit me shifra e “gaxhi-mixhi” siç i quan ai, që nuk ia mora thuajse aspak.
-…Mendoj që do isha një mësues shumë i mirë Gjuhë-Letërsie,- më thoshte kur e pyesja po të mos studioje këto “gaxhi-mixhit” me matematika e fizika, çfarë do doje të bëje.
…as e vë në dyshim që do ishte një mësues i përkryer letërsie, pasi është aq i dhënë e i saktë sa edhe kur flasim me mesazhe private që nuk lexohen publikisht, nuk përton t’i shkruajë Ë-të , Ç-të,bashkë me shenjat e sakta të pikësimit.
Këtë pirg me libra të fëmijërisë së vet, e ruan si sytë, e s’mund të kaloj pa vënë re mallin e kujtimet që i kalojnë para syve kur i shfleton këta librave të vjetër, që i blinte me lekët që nëna ia jepte për ndonjë hallvë 5 lekëshe apo lëpirëse gjeli me sheqer.
Aroma magjike e këtyre librave sikur më kthen pas vitet kur im atë ka qenë adoleshent…kur i duhej të punonte gjithë ditën, e ta zinte gjumi mbi librin e preferuar pas mesnate nën dritën e dobët të qirinjve…
…Kjo më bën të reflektoj kaq shumë rreth luksit që kam sot për të lexuar lirisht çdo fundjavë apo gjatë kohës së lirë.
Jam kaq e lumtur që vazhdoj të përthith prej karakterit e urtësisë që ka Ba-ja im!”

Share With:
Translate »
790 Views