Babai e kërcënonte dhe e mbante të lidhur prej ditësh, ulërimat e adoleshentit në Berat alarmojnë fqinjët
Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Beratit ku një 43-vjeçar, i identifikuar si Admir Duro, ka përfunduar në pranga pasi kishte dhunuar fizikisht e psikologjikisht dhe mbante të mbyllyr prej disa ditësh, djalin e tij 17-vjeçar. Kanë qenë fqinjët e familjes Duro që kanë sinjalizuar të parët policinë, ndjekur më pas nga një telefonatë e të miturit i cili ka pranuar se ishte kërcënuar nga ana e babait. Uniformat blu dhe forca të zjarrfikëses, kanë shkuar në apartamentin ku jetonte burri dhe kanë arritur të nxjerrin djalin.
Njoftimi i policisë Berat vijon si më poshtë: ” Më datë 23.06.2018, nga Specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: A.D, 43 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat. Arrestimi i tij u krye pasi në banesë në lagjen “30 Vjetori”, ka mbajtur peng djalin e tij shtetasin A.D, 17 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij.
Shtetasi A.D gjithashtu kundërshtoi me forcë punonjësit e policisë për tju shmangur shoqërimit, duke i goditur me sëpatë e sende të forta, për pasojë u dëmtuan lehtë dy efektivë policie.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 110, 236/2, 130/a dhe 274 të Kodit Penal. Gjithashtu u përgatit Kërkesë Padia për Urdhër Mbrojtje të menjëhershëm, për shtetasin A.D.”