Aulona Musta si kurrë më parë, interviston njeriun me special në jetë
Në 13 vite si gazetare, Aulona Musta nuk kishte guxuar asnjëherë ta bënte – gazetaren përballë Perlat Mustës. Në fillimet e saj, por edhe pas më shumë se një dekade në gazetari, ka nga ata që i kanë mbetur besnikë të atit dhe vazhdojnë ta quajnë “vajza e Perlat Mustës”. Por asaj nuk i vjen aspak keq për këtë, përkundrazi është krenare dhe gjithmonë me krenari e thotë “Jam vajza e Perlat Mustës…”

Kjo ishte arsyeja që në rubrikën “Këndi i së vërtetës” në Top Arena mbrëmjen e sotme përballë ish-futbollistit të njohur Perlat Musta ishte e bija, Aulona, dhe jo Fjoralba, si çdo mbrëmje me të ftuarit.

Edhe pse pyetjet i kishte gati në skenar, Aulona në fillim nuk mundi t’i kontrollonte dridhjet e zërit nga emocionet: “Ke emocione?” e pyeti ajo të atin si për të shpëtuar nga të vetat: “Unë, si rrallëherë, paskam shumë emocione”, – shtoi më pas, por nuk ishte nevoja të justifikohej. Para Mustës, ajo nuk ishte më e bija.

Megjithatë, u kujtua pas disa pyetjeve. Diku aty në skenar, ishte edhe një pyetje për të: “A të kam zhgënjyer ndonjëherë?” – iu drejtua ajo të atit duke pritur nga ai një “Joooo”, ndërsa ish-futbollisti nuk ktheu përgjigjen që donte e bija: “Një herë po…” – tha duke qeshur dhe Aulona ia ktheu aty për aty: “Epo, këto nuk thuhen këtu. Ti duhet të thuash “jo, sepse ti je vajzë e mrekullueshme”. Nuk e dinte që i ati kishte tjetër përgjigje, edhe më të bukur nga ajo që priste ajo: “Më zhgënjeve vetëm në momentin e lindjes, sepse ti e di që të doja djalë, por pastaj zhgënjimi m’u kthye në kënaqësi.”

Aulonës i ka dalë nami që thumbon, por thumbat nuk i shkojnë me të atin. As përballë dilemës “vajza e Perlatit” apo “babi i Aulonës”. Të rinjtë, tha i ati, thonë “babi i Aulonës”, ndërsa ata që e njohin mirë Mustën vazhdojnë të thonë “vajza e Perlatit”.

Edhe vetë Aulona e di mirë. Të gjithë jetën do ta specifikojnë “vajza e Perlatit” dhe të gjithë jetën edhe ajo do të ndihet krenare. Sepse është vajza e babit dhe e një emri të madh për futbollin shqiptar.
Jo më kot, Fjori ia la karrigen mbrëmjen e sotme…