“ISIS po rrëmben fëmijë në Burrel”, reagon policia

Policia e Burrelit ka reaguar pas publikimit në disa portale të një fotoje, ku pretendohej se një person i veshur me uniformë të ISIS ka qarkulluar në qytet, madje thuhet se ka tentuar të rrëmbejë edhe dy fëmijë.
Policia e Burrelit ka bërë të ditur se ka reaguar menjëherë lidhur më këto pretendime, duke ngritur një grup të posaçëm, i cili ka monitoruar qytetin ditën dhe natën me dron, ndërsa janë verifikuar edhe kamerat e bizneseve ku pretendohej se kishte lëvizur personi.
Policia thotë në një deklaratë se nuk është verifikuar asnjë person i dyshuar dhe se nuk ka pasur asnjë denoncim për rrëmbim personash.
“Nisur nga këto Drejtoria Vendore e Policisë Dibër dhe Policia lokale e Burrelit, shprehin keqardhje për këto disinfrmacione dashakeqe duke përhapur panik tek qytetarët. Këto informacione të pavërteta dhe tërësisht dashakeqe me prapavijë të errët kanë për qëllim të nxijnë punën e policisë dhe të sfumojnë sado pak rezultatet që Policia e Shtetit po arrin në luftë ndaj krimit të organizuar dhe krimit në tërësi. Theksojmë se në qytetin e Burrelit dhe rrethin e Matit prej një viti nuk është shënuar asnjë vrasje apo ngjarje e rëndë kriminale, janë ulur ndjeshëm rastet e vjedhjes kundër pronës, si dhe nuk është konstatuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike. Të gjitha këto tregojnë angazhim dhe seriozitet të strukturave të Policisë si dhe bashkëpunim mjaft të mirë me Komunitetin”, thuhet në reagimin e policisë.

Share With:
Translate »
709 Views