‘Doktorët gazmorë’ që do të shihni nëpër spitalet shqiptare

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ambasada e Izraelit në Tiranë kanë bashkëpunuar për të trajnuar 30 mjekë dhe infermierë nga e gjithë Shqipëria mbi programin “Dream Doctors” (Doktorët e ëndrrave).

Mjekët dhe infermierët do të trajtohen nga ekipi izraelit “Doktorët Gazmorë” për të qenë më miqësorë me pacientët.

“Kjo mënyrë e re e trajtimit të fëmijëve në spitale do të mundësojë që ata të mos ndihen si në spital. Sigurisht medikamentet bëjnë pjesën e tyre, por edhe sjellja e mirë është një element më shumë për t’u shëruar sa më shpejt”, tha ministrja Manastirliu.

Trajnimi i mjekëve dhe infermierëve zhvillohet nga data 15-20 tetor në Tiranë, ku ekipi profesionist i “doktorëve gazmorë” të Izraelit do të prezantojë teknikat e terapive për pacientët për t’ua bërë sa më të lehtë qëndrimin në spital.

“Dream Doctors” janë animatorë mjekësorë profesionistë, të cilët janë të trajnuar për terapi pacienti gjatë shtrimeve në spital, apo trajtimit ambulator. Kjo praktikë e njohur botërisht aplikohet kryesisht, por jo vetëm, në repartet pediatrike.

Share With:
Translate »
714 Views