‘Fustani i bekuar’ i Meghan Markle nuk quhet kështu vetëm nga çmimi i lartë
Meghan Markle dhe Princi Harry u ndalën në Australi këtë të hënë në vijim të turit të tyre disaditor. Meghan i habiti të gjithë me një fustan të bardhë pa mëngë. Kjo ishte dalja e parë e çiftit që nga publikimi zyrtar i lajmit të shtatzënisë, ndaj fansat rreth saj u siguruan që Princeshën ta uronin me buqeta lulesh.

Çifti dukej i adhurueshëm, si gjithmonë, por Meghan zgjodhi një fustan të thjeshtë dhe shumë elegant, të stiluar nga stilistja australiane Karen Gee, e cila e quajti Fustani i Bekuar. Me të vërtetë, është një fustan që nuk mund t’u rrijë më mirë se kaq linjave të një princeshe.

Ndërsa Meghan u pa me këtë veshje në Admiralty House në Sydney, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, zbuloi edhe shenjat e para të fëmijës në rritje.

Dalëngadalë, Meghan po dëshmon se është kthyer në ikonë të vërtetë stili, edhe pse pyetja e të gjithëve tani është: cili do të jetë stili i Meghan gjatë pritjes së ëmbël?

“Fustani i bekuar”, është në fakt, një simbol i pritjes së ëmbël. Megjithëse në daljet publike, ajo thuajse i vesh të gjitha ngjyrat, të bardhën duket se e ruan për ngjarjet speciale.

Fustani i Bekuar, nëse do ta kërkoni online, ka një çmim të lartë, plot 1800 dollarë (australianë), por, pa dyshim, për princeshën nuk është i bekuar vetëm nga çmimi.






