Përfaqësuesja e Shqipërisë në Junior Eurovision ka vjedhur zemrat e të gjithëve
Njihuni me Efi Gjikën, fituesen e Junior Fest 2018. Kënga e saj, “Barbie”, do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin Junior Eurovision, një version me fëmijë nga gjithë Europa i spektaklit gjigand. Junior Eurovision do të mbahet në Minsk të Bjellorusisë më 25 nëntor dhe ne (dhe shumë të tjerë) besojmë se Efi ka shanse të fitojë.
Kënga quhet “Barbie”, por s’është aspak sipërfaqësore. Madje, përcjell krejt të kundërtën. Në refren, ajo thotë “veten s’dua ta mendoj, si një kukull që s’ka gojë.”
Efi ngjan vërtet si Barbie. Ka flokë të gjatë biondë dhe sy jashtëzakonisht blu, por e di që s’është vetëm aq. Ajo ka mendime, ka gjëra për të bërë, është e zgjuar dhe çapkëne. Pse e quajnë Barbie, pra të bukur, kur mund ta quajnë të zgjuar? Kënga është shkruar pjesërisht nga vetë Efi.
Klipi i këngës është ndërtuar për të përcjellë idenë e botës imagjinare të Barbie-t, duke nisur që nga shtëpia, dekori, fustanet e deri te festa.
Komentuesit nën videon e këngës adhurojnë gjithçka. Sigurisht, lëvdojnë mesazhin feminist, faktin që kënga është e hareshme dhe fëminore dhe madje, shpresojnë që të fitojë vendin e parë.
Efi u takua me kryebashkiakun Veliaj në fund të tetorit, performoi për të dhe i dhuroi një kopje të këngës. Veliaj, në këmbim, i premtoi që do ta promovojë këngën e saj në rrjete sociale, që sa më shumë njerëz të votojnë për të.
Junior Eurovision transmetohet në RTSH.
|
|
|
Artikuj të ngjashëm
Festivali i Këngës: Në juri, 150 të rinj nga gjimnazet e Tiranës
Ç’thotë Era Rusi për ngjashmërinë mes këngës së saj dhe ‘Jolene’
Këta këngëtarë shqiptarë provuan se anglishtja është jashtë mode!
Rihanna po përgatit surprizën e radhës dhe s’mund të na lumturonte më shumë!
LEXO ME SHUME