Flori tregoi historinë e emrave të fëmijëve dhe ne mbetëm pa fjalë

Si çdo të shtunë “Shiko kush luan” nën moderimin e Luana Vjollcës, përveç surprizave dhe të qeshurave, na sjell dhe momente mjaft të veçanta. E tillë ishte dhe situata e krijuar gjatë njërës prej sfidave të programit.

Pjesë e lojës së quajtur “Ping Pong” këtë herë ishte dhe vetë kapiteni i skuadrës së kuqe, Florian Binaj. Gjatë sfidës, atij iu drejtua një pyetje sa e bukur aq edhe interesante në lidhje me fëmijët e tij.

“Përse ke zgjedhur emrat Krena dhe Galuk për fëmijët dhe cili është kuptimi i tyre?”

Dhe shpjegimi që Flori dha ishte tepër i bukur dhe kuptimplotë.

Artisti tregoi se emri i vajzës së tij, Krena, vjen nga fjala krenari dhe për më tepër është një lumë në Gjakovë. Ndërsa Glauk, është emër Ilir i cili është edhe pjesë e historisë shqiptare. Flori tregoi se ky emër është përdorur edhe në filmin e Aleksandrit të Madh, gjatë momentit kur Aleksandri i drejtohet një luftëtari duke e pyetur “Nga vjen ti?” dhe ai i përgjigjet “Unë jam Glauk dhe vi nga Iliria”.

Gjithashtu Binaj tregoi se emrin e vajzës, Krena, e ka zgjedhur vetë ai, ndërsa emrin e djalit, Glauk e vendosur bashkëshortja e tij, Sadina.

Flori tha me humor se edhe 8 fëmijët e tjerë që të ketë, sërish emrat e tyre do të jenë ilirë dhe shqiptarë. Ai ka treguar gjithmonë që dëshiron familje të madhe ndaj nuk është çudi që të presim emra të tjerë të bukur e plot kuptim prej tij dhe Sadinës.

Jo vetëm një histori e bukur për tu treguar, por në këtë mënyrë Flori sapo dha një mesazh mjaft të rëndësishëm, të përdorim sa më shumë emra shqiptarë sepse ruajtja e tyre brez pas brezi është një trashëgimi e vërtetë kulturore e vendit tonë.

Share With:
Translate »
1627 Views