A duhet të fajësojmë prindërit për fëmijët që nuk hanë?

Çrregullimet e të ngrënit tek të sapolindurit dhe në fëmijërinë e hershme karakterizohen nga pamundësia e një të sapolinduri apo një fëmije për të konsumuar ushqim të mjaftueshëm. Si rezultat, ky çrregullim i pengon ata për të shtuar në peshë dhe për t’u rritur në parametrat e duhura mjekësore të përcaktuara për një periudhë një-mujore ose më shumë.

Në shumicën e rasteve, të sapolindurit ose fëmijët që vuajnë nga ky çrregullim janë të irrituar, e kanë të vështirë të qetësohen në prani të ushqimit, si dhe qëndrojnë indiferent dhe të pabindur ndaj kërkesave të ndryshme të prindërve. Ndonëse, çrregullimet e të ngrënit tek ne, nuk marrin vëmendjen e duhur, në nivel ndërkombëtar, studimet kanë treguar se 25% deri në 35% e fëmijëve me zhvillim normal përjetojnë të tilla çrregullime. Në një pjesë të madhe të fëmijëve, këto çrregullime shpjegohen nëpërmjet shkaqeve të ndryshme mjekësore ose psikologjike. Mirëpo, ekziston edhe një grup i konsiderueshëm fëmijësh, çrregullime t e të cilëve nuk përputhen me asnjë prej dy shkaqeve kryesore. Në këtë rast, përveç sjelljes së vet fëmijës, humbja e madhe në peshë (brenda një muaji), është treguesi kryesor që ndihmon në identifikimin e këtij çrregullimi.

Edhe pse më parë, një pjesë e madhe e fëmijëve mund të mos hanin mjaftueshëm ose të refuzonin ushqimin, këto sjellje do të vinin shumë pak në vëmendje të specialistëve. Në jo pak raste, këta fëmijë do të vlerësoheshin thjesht si një grup fëmijësh të llastuar dhe tekanjoz. Fatmirësisht, sot më tepër studiues i fokusojnë interesat e tyre në shpjegimin e këtij çrregullimi, që në pamje të parë duket se ka të bëjë me temperamentin e fëmijës dhe me mënyrën se si prindërit i trajtojnë ata. Megjithatë, shumica e studiuesve pohojnë se arsyeja kryesore për rritjen e interesit për këtë grup fëmijësh ka ardhur jo sepse numri i tyre është rritur, por sepse vetë prindërit i kushtojnë më tepër vëmendje sasisë së ushqimit që konsumojnë fëmijët e tyre.

Në fakt, në ditët e sotme edhe më shumë prindër ndjehen të përgjegjshëm për çdo gjë të ashtuquajtur negative që ndodh tek fëmijët e tyre. Dhe ky fenomen mendohet të jetë edhe më i pranishëm tek prindërit e fëmijëve me çrregullime të të ngrënit. Kjo sepse, kur mjekët apo psikologët nuk arrijnë të shpjegojnë arsyet e sjelljes refuzuese së fëmijëve ndaj ushqimit, të gjithë fillojnë të pyesin për rolin e prindërve, madje edhe prindërit vet.

Disa këshilla për prindërit e fëmijëve me çrregullime të të ngrënit:

* Shmangni argumentet dhe debatet familjare të çfarëdolloj natyre gjatë të ngrënit, dhe diskutoni vetëm për gjëra pozitive duke përfshirë edhe shijen e mirë të ushqimit.

* Fëmijëve u duhet kohë që të mësojnë se si duhet të sillen kur ulen për të ngrënë, kështu që jini të durueshëm ndaj sjelljeve jo të këndshme të tyre.

* Nëse fëmijët nuk hanë gjatë orareve të përcaktuara nga ju, ofrojini çdo dy orë ushqime të cilat kanë shumë vlera ushqimore, Por, kujdesuni që çdo herë, ushqimet që i ofroni t’i prezantoni në mënyrë që ri tërhiqni vëmendjen.

* Mos lejoni që fëmija të luaj me lodra, të shikojë libra ose televizor gjatë kohës kur do të ushqehet.

* Mos e kërcënoni ose ta shtyni me doemos për të ngrënë dhe mos e dënoni nëse nuk ha. Thjesht pranoni refuzimin e tij/saj dhe mos i tregoni mërzit jen tuaj. Fëmija mund të refuzojë të hajë në mënyrë që të tërheqë vëmendjen tuaj dhe nëse ju tregoheni të pakënaqur nga sjellja e tij/saj, ai/ajo mund të përsërisë të njëjtën sjellje.

* Respektoni oraret e të ngrënit, kjo gjë i ndihmon fëmijët të kuptojnë rëndësinë e ushqimit dhe i bën më të disiplinuar.

* Informojeni fëmijën gjithmonë 10 deri në 15 minuta përpara se të shtroni për të ngrënë, kështu i jepni kohë që të largohen nga aktivitet që janë duke bërë në mënyrë të qetë.

* Mos harroni ri përsërisni fëmijës se sa e rëndësishme është kur të gjithë në familje hanë së bashku dhe se ai/ajo duhet të rrijë në tavolinë deri sa të gjithë të kenë mbaruar së ngrëni.

* Kur doni t’i jepni fëmijëve ushqime të reja, prezantojani ato disa herë në ditë. Shumica e fëmijëve mund të provojnë diçka vetëm pasi i është ofruar për të paktën 10-15 herë.

Share With:
Translate »
1126 Views