Receta e mamit | Receta më e shijshme e kekut me fruta të thata
Është shumë i shijshëm, nëse shoqërohet me djathëra të ndryshëm (djathë dhie kremoz, etj). Mund të konsumohet brenda ditës ose të përgatitet ditë më parë dhe të ruhet në ngrirje në frigorifer. Është shumë i mirë edhe për mëngjes. Receta nga Linda Fishta; fotografia Armand Habazaj
KOHA E PËRGATITJES NË TOTAL,
bashkë me pjekjen – 60 minuta/ Tava drejtkëndëshe 30×10 cm/ Si masë përdorim një filxhan ose një gotë që merr 250 ml ujë
FRUTA TË THATA:
½ gotë me arra pekan ose arra të zakonshme (100 g), bajame të qëruara (90 g), gotë fëstëkë të qëruar, jo të kripur; ½ gotë rrush të thatë; ½ gotë fiq të tharë, të prerë në copa të vogla; ½ gotë kajsi të thara, të prera në copa të vogla; ½ gotë kumbulla të thara, pa bërthamë të prera në copa të vogla
PËR BRUMIN:
¾ gotë miell integral (kaf 90 g)
15 g sodë për torta të kripura ose të ëmbla pa vanilje
½ lugë e vogël kripë e imët (2.5 g)
1 majë luge kanellë pluhur
1 majë luge arrëmyshk
110 g gjalpë i butë, në temperature ambienti
1/2 gotë sheqer kaf (90 g)
3 vezë
30 ml (2 lugë të mëdha) verë “Marsala”, pije të ëmbël që pëlqeni ose ujë
PËRGATITJA:
Frutat e thata i përziejmë në një tas dhe i lëmë mënjanë. Ndezim furrën në temperaturën 180° C, kurse tavën e veshim me letër furre.
PËRGATISIM BRUMIN:
1. Në një tas përziejmë miellin, sodën, të cilën e hedhim me sitë, kripën dhe erëzat. I lëmë mënjanë.
2. Në një tas tjetër rrahim me rrahësen elektrike gjalpin me sheqerin, shtojmë një nga një vezët dhe i përziejmë derisa të përftojmë një masë homogjene. Ulim shpejtësinë e rrahëses dhe shtojmë pjesë-pjesë miellin dhe verën. Shtojmë frutat e thata dhe i përziejmë me lugë druri.
3.Hedhim brumin në tavë dhe e vëmë të piqet për 1 orë ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. Meqenëse koha e pjekjes është e gjatë, kur të marrë ngjyrë në sipërfaqe, e mbulojmë me letër alumini sipër, që të mos digjet. E heqim nga tava kur të jetë vakur dhe më pas e lëmë të ftohet mbi një grilë. Kur të jetë ftohur plotësisht, e presim në feta të holla dhe e shoqërojmë me djathëra sipas dëshirës. Nëse dëshironi ta përgatitni ditë më parë: kur keku të jetë ftohur plotësisht, e mbështjellim me letër alumini dhe e ruajmë në grirje. Në momentin që do ta konsumojmë, e presim në feta shumë të holla me një thikë me majë dhe i pjekim për rreth 15/18 minuta në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 170° C, por duke patur kujdes mos digjen. I lëmë të ftohen në tavë dhe më pas i shërbejmë.