Lira Gjika, leksion prindërve të patakt që zhysin fëmijët në det për t’iu larguar frikën
Kush nuk e ka provuar në fëmijëri tmerrin e zhytjes në det në mos nga prindërit, nga ndonjë xhaxha apo dajë, nga kushërinjtë apo shokët, të cilët dikur bënin edhe lojëra të guximshme e të dëmshme si këto. Por nëse mendoni se fëmijët e sotshëm kanë shpëtuar nga metodat e vjetra, ja që nuk qenka e vërtetë.
Vetë psikopediatrja Lira Gjika ka qenë dëshmitare e një skenë qe ajo e quan makabre, të zhytjes së një fëmijë në ujë nga gjyshja, ndërkohë që të tjerët qeshin me frikën e tij.
Sigurisht që ashtu si edhe në raste të tjera, Lira Gjika ka bërë një analizë të domosdoshme dhe të nevojshme të sjelljeve të tilla, që mund ta lexoni më poshtë:
Në një nga plazhet e jugut, një gjyshe, nga këto të zonjat, që e kapin situatën për “brirësh”, i mori fëmijen dy vjec, nënën nga dora dhe e futi në det, që t’i mësonte “lezetin e ujit”. Fëmija filloi të ulërijë i tmerruar, por pa dobi, nëna rrinte dhe e shikonte duke qeshur dhe sikur nuk mjaftonte nëna indiferente, me të u bashkuan edhe të rritur të tjerë që qeshnin me ulërimat e fëmijes.
Ky zakoni makabër i të rriturve, që qeshin apo “shkrihen gazit” me fëmijën e vogël të tmerruar nga mospërfillja dhe frika, vazhdon të jetë praktikë e zakonshme, pa na preokupuar për pasojat, që mund të shkaktojë. Prindër dhimbsuria nuk është një gjë e lindur, ajo mësohet e zhvillohet nëpërmjet sjelljes së prindërve ndaj fëmijës dhe më pas edhe nga të rritur të tjerë pranë fëmijës.
Prindër, kini kujdes nga këto sjellje tuajat. E para, frika nuk largohet duke e “përplasur” fëmijën në ujë dhe duke qeshur. Kjo mënyrë vetëm dëmton. Dëmton mekanizmat e empaisë dhe në memorje aktivizon mekanizmat “automatikë” të cilat pengojnë zhvillimin e sferës emocionale. Ju mund t’ju vijë për të qeshur por fëmija është i tmerruar.
E dyta, a ju ka shkuar ndërmënd, se si do të ndiheshit në një situatë të tillë, që ju të jeni të tmerruar dhe ata që ju kanë në dorë të qeshin e tallen? Prindër mos luani me emocionet e paformuara të fëmijëve tuaj dhe mos u çuditni nëse një ditë fëmija juaj mund të bëhet i pandjeshëm dhe indiferent ndaj të tjerëve. Kështu e keni “gatuar”, me indifferencë dhe të qeshura kur ishte keq.