Amaneti i rrallë i inxhinierit shkodran, vajza e çon në vend

Duket e pabesueshme, por ja që ka ndodhur. Dhe jo në ndonjë qytet me emër të madh në Evropë, por në Shkodër. Inxhinieri gjeologu Xhafer Lezha, pak para largimit nga jeta ka lënë një amanet, që vajza e tij, vendosi këtë të shtunë ta çojë në vend.

Ai kërkoi që pasuria e tij e vetme, që ishin 300 botime të ndryshme, përkthime e studimeve prej vitesh në fondin personal t’i dhuroheshin bibliotekës që mban emrin “Marin Barleti”.

Ka qënë vajza e tij, Mimoza Lezha që zgjodhi t’ia dorëzojë këtë kolanë botimesh, një pjesë e madhe të shkruara me dorë si dhe përkthime të autorëve të huaj, këtij institucioni publik, të qytetit ku Xhafer Lezha lindi, u rrit dhe formoi personalitetin e tij.

Inxhinieri gjeolog Xhafer Lezha ka drejtuar ndërmarrjen gjeofizike në Tiranë nga viti i parë i krijimit të saj e deri në vitin 1983. Ai është marrë në këtë ndërmarrje me punimet elektrometrike, magnetometrike, gravimetrike, karotazhin e puseve dhe metodat gjeokimike për kërkimin e mineraleve të ngurta, si dhe me punimet topografike-gjeodezike.

Lidhja e tij me qytetin e lindjes Shkodrën ishte e veçantë dhe amaneti i fundit që la ishte që gjithë ajo pasuri botimesh t’i dhurohej bibliotekes se qytetit. Vajza e tij e përmbushi këtë, duke dorëzuar librat e duke dhënë mesazhin për brezat e rinj.

Share With:
Translate »
919 Views