A mund të marrë kujdestarinë e djalit partneri im i ri? – Përgjigjet avokati

Përshëndetje!

Kam qenë një herë e martuar dhe kam një djalë të vogël 4 vjeç.

Para 2 vjetësh kam mbaruar gjyqin me ish bashkëshortin  dhe djalin e kam unë me kujdestari. Tani jam njohur me një turk dhe dua të martohem por dua edhe që djali të kalojë si prindërim nga turku, ose të paktën në kujdestari. A mund të bëhet kjo gjë, nëse po si? Ju lutem një përgjigje.

Avokat Harbi Aliaj, tel 068 20 44 002:- Përshëndetje! Përgjegjësia prindërore përfshin tërësinë e të drejtave dhe detyrave që kanë për qëllim të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur për të, duke mbajtur raporte vetjake me të, duke i siguruar atij mirërritjen, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurive të tij. Kufijtë e përgjegjësisë prindërore shtrihen deri në arritjen e moshës madhore të të miturit. Pavarësisht se përgjegjësia prindërore u përket dhe ushtrohet së bashku nga të dy prindërit në lidhje me fëmijën e lindur gjatë martesës së tyre ose jashtë martese, nëse është njohur nga të dy prindërit; shpesh ndodh që prindërit e fëmijës mund të humbasin përgjegjësinë prindërore nëpërmjet një vendimi penal që i ka dënuar ata si autorë ose si bashkëpuntorë për një vepër penale ndaj fëmijës së tyre, si bashkëpunëtorë në një vepër penale të kryer nga fëmija i tyre ose nëse janë dënuar për ndonjë nga shkaqet e braktisjes së familjes, për sa kohë që ata nuk kanë marrë përsipër detyrimet që kanë ndaj saj. Në qoftë se prindërit e fëmijës kanë vdekur, janë në pamundësi të ushtrojnë përgjegjësinë prindërore për shkak të pazotësisë për të vepruar, të mungesës ose për arsye veçanërisht të rënda, fëmija mund t’i besohet një anëtari të familjes, një personi të caktuar si kujdestar, një familjeje kujdestare ose edhe një institucioni të përkujdesjes. Në qoftë se njëri nga prindërit është para pamundësisë së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose kur njëri nga prindërit ka vdekur, përgjegjësia prindërore ushtrohet nga prindi tjetër. Në qoftë se prindërit e fëmijës kanë zgjidhur martesën, ushtrimi i përgjegjësisë prindërore bëhet sipas vendimit të Gjykatës në lidhje me pasojat e zgjidhjes së martesës. Para se gjykata të marrë një vendim të përkohshëm ose përfundimtar lidhur me mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, të drejtës së vizitës ose të besuarit të fëmijës njërit ishbashkëshort, thërret një psikolog ose punonjës social, i cili, para se të japë mendimin, duhet të marrë të dhëna për gjendjen materiale dhe morale të familjes, kushtet në të cilat jetojnë dhe ku është më e përshtatshme të jetojë fëmija. Në rast se gjykata arrin në konkluzionin se fëmija, përkohësisht, duhet t’i besohet një personi të tretë ose një familjeje kujdestare, duhet të marrë mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë së vendit ku zhvillohet gjykimi. Gjykata vendos për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose për t’i besuar fëmijën një të treti, mbi bazën e kërkesës së njërës prej palëve, pjesëtarëve të familjes ose prokurorit, në rast se ka shkaqe të rënda që janë të lidhura me ushtrimin abuziv të përgjegjësisë prindërore. Gjyqtari, në këtë rast, merr në konsideratë: a) marrëveshjen e bërë ndërmjet ish-bashkëshortëve; b) mendimin dhe ndjenjat e shprehura nga fëmija i mitur, duke vlerësuar moshën dhe zhvillimin e tij; c) mendimin e psikologut ose të sektorit të shërbimeve sociale pranë bashkisë, pasi këta të kenë dëgjuar fëmijën. Prindi, që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër. E drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, nuk mund t’i refuzohen, veçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës. Vendimi lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore mund të ndryshohet në çdo çast nga gjykata, me kërkesën e njërit prej ishbashkëshortëve, një të afërmi ose të prokurorit. Ndërkohë instituti i kujdestarisë që ju përmendi në pyetjen tuaj, rregullon  situatën në rastin kur fëmijët e mitur vendosen në kujdestari dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore, për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur si të pagjetur, u është hequr përgjegjësia prindërore ose u është hequr zotësia për të vepruar, si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata. Gjykatë kompetente për vendosjen në kujdestari të të miturit është ajo e vendbanimit ose vendqëndrimit të të miturit.Në rast se nuk është caktuar kujdestar nga prindi që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore, gjykata i jep prioritet zgjedhjes së kujdestarit midis paraardhësve, personave të afërt të të miturit, një familjeje kujdestare dhe, si alternativë të fundit, institucionin publik ose privat. Para se gjyqtari të caktojë kujdestarin, duhet të dëgjojë personin e zgjedhur si të tillë dhe të marrë mendimin e të miturit nëse ai ka mbushur moshën dhjetë vjeç. Gjykata, në çdo rast, merr mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës së vendit ku zhvillohet gjykimi, i cili përmban ekzaminimin e zhvillimit të personalitetit të fëmijës në kontekstin familjar! Ju uroj më të mirat!

Share With:
Translate »
517 Views