Romina Ruda ka një problem me programet me fëmijë

Romina Ruda e nisi rrugëtimin e saj në ekran në vitin 1998 dhe qëndroi në RTSH për dhjetë vjet. Pa u stepur, asokohe quhej fëmijë i famshëm, sepse e njihnin vërtet të gjithë. Duke qenë se e preku famën aq e vogël dhe e përjetoi realitetin e punës në ekran që pa hyrë në shkollë, mund të flasë me njëfarë ekspertize për fëmijët e sotëm që janë kthyer në yje të televizionit.

“Problemi im në fakt janë programet me fëmijë që bëhen tani. Me përjashtim të programeve të talentit, siç është ‘The Voice Kids’, programet e tjera që marrin fëmijë, në dallim nga ato që kanë qenë në brezin tim, janë programe që nuk bëhen për fëmijë; janë programe që bëhen me fëmijë dhe janë për të rritur. Mendoj që ky është një problem goxha i madh që duhet folur dhe duhet diskutuar. Mendoj se duhet të ketë një përgjegjësi më të madhe nga ana e mediave, për mënyrën se si i përdorin fëmijët, për mënyrën se si japin mesazhe përmes tyre, por duke i vendosur ata në qendër. I ndryshon jetën një fëmije,” tha ajo në “Pop Culture.” “Një fjali e gabuar, një postim i gabuar në rrjete sociale, diçka që ti mendon se po e bën për të mirën e atij fëmije, momentin që ai do të rritet dhe do të kthejë kokën pas, do të kuptojë që është përdorur nga ti për t’u dukur më simpatik ndoshta. Kjo pjesë më prek personalisht mua në lidhje me këtë brez.”

Momentalisht, Romina nuk e ndjen dëshirën për t’u bërë nënë. Ndoshta në të ardhmen do të adoptojë një fëmijë, por nëse ndodh, nuk do ta shtyjë kurrsesi të ndjekë rrugën e saj sepse e ka parë të ndodhë dhe mendon se prindërit pasqyrojnë te fëmijët ëndrrat e tyre.

“Kam parë shumë fëmijë që imponoheshin nga prindërit, fëmijë që realisht nuk donin të dilnin në televizor. Fjalia që kam dëgjuar më shpesh ishte ‘e bën kjo, e bën, po s’do vetë.’ Nuk do të doja kurrë që asnjë prind të impononte fëmijët për të përmbushur një ëndërr të tyren që s’e kanë realizuar,” tha ajo.

Share With:
Translate »
621 Views