Të famshmit shqiptarë që kanë reaguar publikisht për çështjen e Alvinit 11-vjeçar në kampet e Sirisë
Çështja e fëmijës 11-vjeçar që gjendet në kampet siriane prej disa vitesh, pas vendimit të nënës së tij për ta marrë me vete, po bën xhiron e medias shqiptare dhe botërore. Kjo ngjarje sidomos pas transmetimit në emisionin investigativ “Ie iene” ka marrë të tjera përmasa, madje edhe zyrtare dhe në radhët e personazheve të njohur publik që me dashamirësinë e tyre kanë vendosur ta ndajnë virtualisht këtë histori që ajo mandej të dëgjohet kudo dhe të ketë një reagim në radhët e diplomacisë shqiptare. Ka qenë Xhensila Myrtezaj, e para që ka bërë një postim dhe një reagim publik, e më pas këngëtarët Alban Skënderaj e Aurela Gaçe.

Xhensila Myrtezaj
“Të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, duhet të falënderojnë @redazioneiene, kushdo qoftë që ka pasur në dorë të bëjë diçka dhe nuk e ka bërë, ose kushdo që ka në dorë të bëjë diçka dhe nuk e bën, Zoti i paftë”!

Alban Skënderaj
Nuk e vë në dyshim që mes njëqind burokracive, relatave politike, gjeostrategjike etj, kthimi i Alvinit në Shqipëri është i komplikuar! Por, jam po aq i bindur që me pak vullnet dhe përkushtim shteti shqiptar mund të kthejë këtë fëmijë në shtëpi i cili për shkak të një vendimi të nënës së tij për ta marrë me vete në Siri ka vuajtur dhe vuan pasojat e tmerrshme të një lufte e cila me siguri i ka sjellë jo vetëm dëmtime fizike, por edhe psiqike dhe shpirtërore. Dhe njëherë e them, mund ta kuptoj që është e komplikuar por s’do të thotë se është e pamundur! E dashur qeveri dhe të dashura institucione përkatëse, tregoni pak vullnet të mirë! Ju bën mirë dhe juve të mobilizoheni në një rast si ky për të rifituar pak besim dhe dinjitet. Jepuni ndjesinë shqiptarëve anë e mbanë nëpër botë se kanë një atdhe që edhe pse i vogël dhe jo i fuqishëm mund të kujdeset dhe t’i mbrojë ata, të paktën në rastet ekstreme siç duket ky rast, ku përfshihet një i mitur shqiptar i cili nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e prindit të tij.

Aurela Gaçe
Sot, kalimthi hasa në një lajm që nuk e dija çfarë përmbante. Por, duke parë që më kanë bërë shumë tags me këtë histori, u futa të lexoj e të di më tepër. Nuk i di politikat e shtetit tonë, se di çfarë se me çfarë e se e me kë biem ndesh nëse shpëtohet një fëmijë. Nuk mund t’a imagjinoj të dua të marrë fëmijën tim e të mos mundem. Ky fëmijë mesa lexova, nuk ndodhet atje mes vatrës së luftës sepse ashtu donte ai. Ai s’mund të marrë vetë vendime. Lutem, kushdo që e ka në dorë të shpëtojë një jetë, të mendojë si prind. Vetëm imagjinoni sikur ne të ishim në këtë pikë e askush të mos na dëgjonte. Lotët e tyre është e pamundur të mos na shkundin…