Gjen vajzën e xhaxhait pas 33 vitesh. Ajo refuzon babain por mirëpret kushërirën!
Pas 33 vitesh Emiljana ka gjetur vajzën e xhaxhait të saj, ekzistencën e së cilës e kishte mësuar përpara një viti. Direkt nga Kreta ku jeton prej vitesh, ajo ka ardhur në studion e “Ka një mesazh për ty” për të kërkuar Blerinën për të cilën nuk e dinte se ku jetonte dhe se çfarë ishte bërë me jetën e saj. Nga ato pak të dhëna që dispononte, stafi i emisionit ka arritur t’a gjejë në qytetin e Vlorës. Megjithë insistimin e gazetarëve, Blerina ka refuzuar të vijë në program. Ajo ka patur arsyet e saj, mamanë sëmurë dhe fëmijët që duhet të kujdesej por pa e fshehur dhe hamendësimin se në studio mund të kishte ardhur babai biologjik ose dikush nga fisi i tij. Kjo e fundit duket se ka qenë pengesa kryesore për Blerinën e cila është ndier keq për faktin se për 33 vite, as babai dhe asnjë nga fisi i babait nuk është kujtuar për të. Sipas asaj që ka mësuar, Emiljana ka rrëfyer se prindërit e Blerinës janë ndarë kur kjo e fundit ende nuk kishte mbushur tre vjeçe. Mosmarrëveshjet mes çiftit i prenë rrugën dhe kontaktit mes babait dhe vajzës së saj. Megjithse vitet e para, Feçorri, babai i Blerinës kishte kontribuar financiarisht për rritjen e vajzës, me largimin në Greqi ishte shkëputur çdo lloj lidhje me të bijën. Në atë kohë, i ati kishte krijuar një familje të re dhe vitet kishin zënë njëra – tjetrën duke u mbushur plot 33 vite larg Blerinës. Kjo e fundit po ashtu ishte rritur nga njerku i saj i cili kishte zëvendësuar denjësisht figurën e babait. Por për Emiljanën ka qenë një zbulim interesant dhe një thirrje e brendshme shpirtërore që t’a gjente kushërirën e saj sapo ka mësuar këtë histori. Ajo e ka quajtur Blerinën “motër të munguar” dhe i ka bërë thirrje që të takohen e të lidhin një marrdhënie të re. E ndoshta ky ka qenë çelësi që ka hapur sadopak zemrën e Blerinës e cila e ka mirëpritur ftesën e kushërirës që të takohen pa praninë e kamerave në Vlorë. Por kjo ftesë nuk vlen për babain e saj dhe pjestarë të tjerë të familjes, të paktën për momentin. Për Blerinën është ende shokues fakti që për gjithë këto vite nuk është interesuar njeri, pavarësisht se dashuria prindërore nga ata që e rritën nuk i ka munguar. Së paku ajo e ka lënë një derë të hapur që nëse një ditë do ketë dëshirë të shohë babain e saj në sy, do jetë Emiljana ajo që do i bashkojë. Kjo e fundit, ka udhëtuar direkt pas emisionit për në Vlorë për të realizuar dëshirën e madhe që e solli nga Greqia deri në Shqipëri.