Elisonia gjen nënën biologjike pas 24 vitesh por dashurinë e shpreh për atë që e rriti

U desh të kalonin 24 vite që Elisonia të merrte vesh se kush ishte nëna e saj biologjike. Deri përpara disa muajsh, ajo nuk e kishte menduar asnjëherë që prindërit që e rritën me aq sakrifica e dashuri nuk ishin ata biologjikë. Nëse ndonjë fjalë e dëgjuar shkarazi ndër vite nga ndonjë bashkëmoshatar i kishte tërhequr vemendjen, nuk kishte patur aq ndikim sa të dominonte mbi përkujdesjen e nënë Fotinisë që e ka rritur. Për vite me radhë, ajo e ka patur përpara syve një dosje jeshile të cilën nuk u bë kurrë kurioze që t’a hapte. Aty brenda fshihej çertefikata e saj e lindjes, ajo origjinalja ku figuronte me emrin Lina Deshaj e bija e Lirijes dhe Lekës, lindur në vitin 1995 në Tiranë dhe e braktisur nga nëna biologjike pas 11 ditësh në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Por duke u rritur, Elisonia kishte analizuar të tjera episode të jetës së saj e të prindërve, të cilat i ngjallnin dyshime se mund të ishte e birësuar. Nga fëmijëria e saj kishte vetëm një foto kur ishte nëntë muajshe e më pas përtej moshës dy vjeçe. Dinte që nëna e saj kishte kryer një operacion i cili i pamundësonte fatin për t’u bërë prind. Përveç këtyre i ngjallte dyshim dhe mosha e prindërve që ishte më e madhe se e moshatareve të saj. Të gjitha këto dilema, duke uruar që të mos jetë e vërtetë, ajo i mbajti përbrenda duke pritur momentin e duhur. Përpara pesë muajsh ajo është bërë vetë nënë dhe duke e ndier më tepër rëndësinë e të qenit prind, merr guximin të pyesë nënë Fotininë nëse ishte fëmijë i birësuar. Ajo i tregon të vërtetën për të cilën përtej kureshtjes për të mësuar emrin e nënës biologjike, nuk ngjalli asnjë emocion negativ për askënd. Elisonja ka rrëfyer se për atë nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon asgjë për faktin se është e birësuar sepse atë që ajo që e ka patur me tepri gjithmonë, ka qenë dashuria e prindërve që e kanë rritur. Shumë pak kohë pasi mësoi këtë fakt, Elisonia i’u drejtua “Ka një mesazh për ty” që të gjente zonjën e cila e solli në jetë. Por në një ditë të tillë kaq të rëndësishme për të, ajo donte të kishte në krah nënë Fotininë, aty ku kishte investuar gjithë dashurinë e saj. Pas syve që i tregonin gëzim kur mori vesh që ishte gjetur nëna e saj biologjike Lirije, Elisonies i lexohej dhe kureshtja për t’a parë. Në pamundësi për të qenë fizikisht në studio, asaj i’u dha një zarf me foton dhe numrin e telefonit të nënës biologjike që e gjithë pjesa tjetër e historisë të zbulohej mes atyre të dyjave. Por momenti më emocionues ka qenë kur Elisonia i ka dhënë një mesazh kuptimplotë nënë Fotinisë. Mes të tjerave ajo ka shprehur se “goja thotë vetëm një herë nënë dhe unë tashmë e kam thënë” duke i’u referuar pikërisht asaj që e ka rritur. Ajo ka treguar sesa me fat ka qenë duke u rritur pikërisht nga ata dy prindër. Përpos kësaj, u ka dhënë zemër të gjithë atyre fëmijëve të birësuar që të mos hezitojnë të kërkojnë rrënjët e tyre biologjike nga frika e mentalitetit. Nga ana tjetër u ka bërë thirrje dhe atyre çifte që nuk arrijnë të bëhen prindër, të birësojnë një fëmijë pasi mund të shpëtojnë një jetë e të bëjnë të lumtur dikë, siç është ajo sot. Ndoshta Lirija, nëna biologjike e Elisonies do e kuptojë një ditë se çfarë thesari ka humbur dikur por që është ruajtur me aq shkëlqim nga nënë Fotinia. Mbase sot do bekohet jo vetëm një por dy nëna. Koha do e tregojë…!

Share With:
Translate »
802 Views