Vetë i treti vëlla jetim, historia e 16 vjeçarit të mbijetuar nga tërmeti
Banorët e Thumanës vështirë të kenë parë ndonjëherë në shtylla kaq shumë njoftime për vdekje njëherësh sa këto ditë pas tërmetit vrastar të 26 nëntorit
Dhjetëra jetë të humbura dhe një kamp për të mbijetuarit. Brenda kampit ndodhet dhe Antonio Maksutaj, djali 16 vjeçar i cili nuk e ka njohur asnjëherë nënën e tij ndërsa babai i është ndarë nga jeta.
Gazetarja e “BOOM” në RTV Ora ishte në atë kamp dhe bisedoi me adoleshentin.
“Kam 16 vjet që jetoj në Thumanë. Kur ra tërmeti isha në gjumë. Më ranë ca copa. Desha të ngrihem por më tha vëllai mos u ço. Pushoi dhe ikëm pastaj, dolëm të gjithë jashtë. Tani po jetoj në çadra, babai më ka vdekur, mamaja më ka lënë. Jetoj vetëm me dy vëllezërit. Në këto çadra jemi pa dyshekë, sot jemi, nesër nuk jemi. Na duhet një shtëpi.”
Frika lexohet qartë në sytë e tij, ndërsa dhimbja dhe ajo çfarë ka përjetuar e kanë mbyllur në vetëvete.
Xhaxhai i Antonios nuk e di sesi do të vijojë jeta e tre nipërve të tij pas daljes nga çadra.
“Shyqyr Zotit që kanë shpëtuar njëherë se kanë qenë të vetëm aty në pallat. Tani janë stresuar se nuk e kanë as babanë, nëna i ka braktisur. Kemi marrë çadër, me batanije na kanë pajisur por s’ka dyshekë. Kemi shtruar kartona”.
“Është mpirë nga frika.Është step prej tërmetit, janë trishtuar. Dhe pa drita mezi kanë dalë.”
“Kush të ketë mundësi ti ndihmojë, pas çadrës nuk kanë asnjë shpresë.”