“Nuk dua të fejohem”, 18-vjeçarja i kërkon ndihmë kushëririt që të jetojë në Tiranë

“Nuk dua të jem si gjithë gocat e tjera që presin t’i fejojë babai ose nëna ose të afërmit. Kresorja është puna, që të vazhdoj të paktën një kurs sepse mamaja ka qenë kundër gjatë gjithë kësaj kohe edhe nuk më ka pyetur asnjëherë nëse do ta vazhdosh apo jo por thjesht më ka thënë: do fejohesh dhe kaq. Unë nuk doja që të mbaronte jeta ime këtu”. Këto ishin fjalët e Fatbardhës, 18-vjeçares nga një fshat i Peshkopisë e cila ka rrëfyer jetën e saj tek “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan me shpresën se do arrijë të shpëtojë nga një realitet i ashpër. Përpara katër vitesh ajo ka humbur babain nga një sëmundje e rëndë dhe e ëma është përpjekur t’a fusë në të njëjtën rrjedhë të fatit si bashkëmoshataret e saj në ato zona të thella. E kur mungon figura e babait në shtëpi, të tjerë të afërm bëhen “zotër” jo vetëm të shtëpisë por edhe të jetës. Kjo edhe për hir të mentalitetit që femrat duhen mbajtur të mbyllura. Kjo i ka shkaktuar mjaft stres Fatbardhës e cila pas mbarimit të gjimnazit nuk ka mundur të vazhdojë universitetin. Pak nga gjendja ekonomike por më së shumti nga ofertat e pa kërkuara për t’a fejuar. Jo vetëm nëna por edhe xhaxhallarët e saj, janë përpjekur ta “sistemojnë” duke dashur t’a martojnë. Por dëshirat dhe synimet e vajzës janë krejt të ndryshme. Ajo dëshiron të jetojë në Tiranë për të siguruar ato që fshati i saj nuk do i’a jepte kurrë. Fatbardha dëshiron të shkollohet ose së paku të mbarojë një kurs për gjuhë të huaj e të punojë në call center sepse kështu mendon se do arrijë të ndihmojë veten por edhe nënën, vëllain e motrën e saj. Por e ëma nuk i del dot kundër mentalitetit të fshatit dhe e ka penguar vazhdimisht për këtë gjë sa Fatbardha është vendosur në një dilemë të madhe. I vetmi nga familjarët e saj që e ka përkrahur gjithmonë jo vetëm financiarisht por edhe moralisht duke i dhënë kurajo, ka qenë djali i xhaxhait të saj Shpëtimi. Kjo ishte edhe arsyeja që Fatbardha e kishte ftuar në emision që t’i kërkonte publikisht që t’a ndihmonte që ky të negocionte me nënën dhe familjarët e tjerë për t’a lejuar që të vazhdonte jetën në Tiranë. E mesa duket e ka gjetur shpëtimin e saj sepse kushëriri u tregua i gatshëm që ta mbështeste edhe duke rrezikuar marrdhënien me familjarët e tjerë të cilët janë të gatshëm t’a fejojnë Fatbardhën në fshat. Ai i premtoi që t’a ndihmojë dhe financiarisht për të vazhduar shkollën pa patur nevojë që të punojë në call center.

Share With:
Translate »
795 Views