Nuk erdhi dot në dasëm, ritakohen pas 20 vjetësh në përvjetorin e martesës
Kishte plot 20 vite që Nuria kërkonte mikeshën e saj Elmazen nga Kosova por nuk kishte mundur t’a gjente askund. U njohën në rrethana të vështira sic ishin ato të vitit 1999 kur mijëra familje kosovare erdhën në Shqipëri të përndjekur nga frika e luftës. Në një prej atyre ditëve, babai i saj mikpret në shtëpi familjen Shabani, pjestare e së cilës ishte edhe Elmazja. Megjithse qëndruan vetëm gati dy muaj, mes Nuries dhe Elmazes lindi një miqësi shumë e fortë. Në atë kohë Nuria ishte e fejuar dhe priste të martohej dhe natyrisht që të ftuar ishin dhe familja Shabani. Por kjo nuk u arrit sepse Elmazes me fëmijët i’u desh të largoheshin në drejtim të Zvicrës ku jetonte bashkëshorti i saj Naimi. Përpara se të ikte, Elmazja donte t’i dhuronte vëthët e saj Nuries, si një nga të paktat gjëra që kishte arritur të merrte me vete nga Kosova. Ajo nuk i kishte pranuar por ky gjest ishte shumë domethënës dhe i paharrueshëm për Nurien. Më pas, kjo e fundit, pasi u martua u zhvendos për disa vite në Dibër dhe kështu që kontaktet me Elmazen u ndërprenë përfundimisht. Vitet kaluan dhe Nuria kishte mbajtur vetëm disa foto të mikeshës së saj nga Kosova por adresën nuk arriti t’ia mësonte megjithse e kërkoi vazhdimisht. Për këtë arsye ajo i’u drejtua rubrikës “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan që të bënte dhe një përpjekje të fundit. Arsyeja këtë herë ishte edhe më e fortë sepse mbushen plot 20 vite nga dasma e saj dhe në këtë përvjetor të rëndësishëm donte që të kishte prezente dhe miken kosovare. Ka qenë një moment shumë emocionues kur Nuria dhe Elmazja janë ritakuar për herë të parë pas 20 vitesh. Tashmë miqësia e tyre merr një trajtë më të plotë sepse pjestarët e familjeve janë shtuar në numër. “Thjesht, sikur një drekë apo darkë me e kalu bashkë, të të dëgjoja zërin që je mirë, kaq desha. Nëse doni edhe për më tepër jeni e mirëpritur. Deshira ime, atë që kam patur peng u realizua. Sikur edhe të vdisja do e lija me shkrim amanet që të më gjenin Elmazen. Të kam kërkuar në Kosovë por se ishe në Zvicër nuk e dija. I thonë 20 vite, dy dekada. Doja që në shtëpinë time të kisha një darkë bashkarisht nëse ti do mundesh. ”, i ka thënë Nuria mikes nga Kosova. Elmazja e surprizuar po ashtu ka treguar se e ka kërkuar vazhdimisht Nurien por nuk ka mundur që ta gjejë ndaj dhe se e vlerësonte pafund dhe e pranonte miqësinë që në fakt nuk u ndërpre kurrë pavarësisht distancës kohore.
“Prej ditës së sotme, prej këtij minuti ne kemi me qenë shokë, miq e dashamirë të pandashëm”, është shprehur dhe Naimi, bashkëshorti i Elmazes. Tashmë përvjetori i martesës së Nuries do jetë akoma më i bukur sepse dëshira e saj e kahershme u bë realitet pas 20 vitesh.
