Djeg 80 % të trupit në moshën 3 vjeçare. Apel prindërve: mos u ndieni në faj!

Çlirimi nga ndienja e fajit është dhurata më e çmuar që mund t’i bësh dikujt që e vuan, që jeton me këtë ndienjë çdo moment. Ky ka qenë motivi që Valdetja i kishte ftuar prindërit Petrit dhe Xhemile në studion e “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan. Ajo ishte vetëm tre vjeçe kur ndodhi një aksident i tmerrshëm. Qumështi i nxehtë i derdhet sipër duke i shkaktuar djegie në 80% të trupit. Në ato momente ajo gjendej në shtëpi e vetme me motrën 14 vjeçare. Duke qenë në një fshat të Burrelit, prindërit duhej të punonin me orare të zgjatura që të siguronin ushqim dhe veshmbathje për fëmijët. Ndihma e parë i’u dha nga komshinjtë të cilët e dërguan në spital. Mes lotësh Valdetja ka kujtuar momentet e dhimbshme të atyre ditëve kur shpresat ishin të vakëta për të mbijetuar. Falë ndihmës së mjekëve ajo mbeti gjallë por pasojat në trupin e saj nuk u zhdukën kurrë. Ajo ka rrëfyer sesa të vështirë e ka patur që të përballet me një realitet krejt të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e saj të cilët shpesh edhe e paragjykonin. Nuk mund të vishej apo të shkonte në plazh si shoqet e saj sepse shenjat e djegies ishin tejet të dukshme. Fatmirësisht fytyra e saj nuk u dëmtua dhe kjo e ka ndihmuar të fshehë brenda saj dhimbjen me pasoja të parekuperueshme. Por përveç mjekëve, një meritë të jashtëzakonshme kanë patur prindërit e saj të cilët e kanë inkurajuar që t’a jetojë jetën si gjithë të rinjtë e tjerë duke i krijuar dhe kushtet e nevojshme. Shpirtërisht ajo është shëruar nga dashuria që i kanë falur prindërit e saj. Një dashuri që i ka dhënë motivim dhe vetëbesim për t’u shkolluar e për të njohur të fejuarin e saj. E nëse gjithçka po shkonte duke u normalizuar, Valdetja e ndiente që për prindërit nuk harrohej kurrë ajo ditë që shënjoi jetën e saj. Ata ndihen ende në faj që nuk gjendeshin aty e të kishin parandaluar fatkeqësinë. Prindërit e kanë kuptuar menjëherë mesazhin që do u jepte Valdetja sapo e kanë parë në studion e emisionit. Ajo u ka kërkuar publikisht që të çlirohen nga ajo ndienjë faji sepse koha ka shëruar edhe trupin edhe mendjen falë kujdesit që ata kanë treguar.

Share With:
Translate »
790 Views