Pas Vitit të Ri, vjen gripi. Mjekët paralajmërojnë prindërit

Temperaturat e ulëta mëngjeseve dhe darkave kanë rritur fluksin e pacientëve të prekur nga virozat e shumta që qarkullojnë, ku nuk kanë munguar edhe rastet me grip, por Instituti i Shëndetit Publik ende nuk ka deklaruar se cili virus qarkullon në vendin tonë, shkruan Top Channel.

Temperaturë e lartë, kollë dhe shpesh infeksione respiratore janë simptomat që kanë prekur shumë qytetarë. Më të shtuara kanë qenë rastet tek moshat pediatrike.

Mjekët thonë se i kanë këshilluar prindërit që gjatë mëngjeseve dhe në orët e darkës të mos i nxjerrin fëmijët e vegjël, por atmosfera e krijuar në shesh me rastin e festave të fundvitit dhe jo vetëm, i ka tunduar.

Kjo ka bërë që shumë fëmijë të kalojnë temperaturë 40 gradë. Sipas mjekëve, komplikacione më të shtuara tek pacientët e prekur nga virozat kanë qenë infeksionet e veshit dhe syve.

Mjekët sugjerojnë prindërit që, përveç konsumimit të lëngjeve, të bëjnë kujdes me ngrohjen e ambientit, jo duke mbajtur një temperaturë të lartë dhe çdo dy orë të hapin dritaren për t’u ajrosur.

Po kështu, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, bën me dije se janë izoluar rastet e para me grip dhe bën thirrje për kujdes të shtuar.

Në një postim në rrjetet sociale, Bino thotë:

Virusi i gripit është në qarkullim. Kush nuk është vaksinuar, të shpejtojë. Të gjithë të marrim masat e zakonshme të higjienës si larja e shpeshtë e duarve, pastrimi i shpeshtë i sipërfaqeve ku mbështetemi me detergjentët e zakonshëm, ajrosja e mjediseve të mbyllura herë pas here kur ato mbushen me njerëz, teshtitja duke përdorur gropëzën e bërrylit si mbrojtje, mosprekja e syve, hundës dhe gojës, evitimi i mjediseve të mbyllura me shumë njerëz”.

Ndërkohë, përveç virusit të gripit në qarkullim, janë dhe virozat e stinës. Rreth 11 mijë persona në javë nga i gjithe vendi, sipas Institutit të Shëndetit Publik, kërkojnë ndihmën e mjekut për infeksione në rrugët e frymëmarrjes.

Share With:
Translate »
551 Views