Nënë e vetme, rritja e një fëmije ju bën më të forta

Kushtuar të gjitha atyre femrave që me kurajë të madhe dhe dinjitet rritin të vetme fëmijët e tyre. Dedikuar forcës së tyre dhe dashurisë së pafundme…

Janë gjithnjë e më të shumta femrat që gjenden duke jetuar përvojën e të qenit nënë e vetme, duke u kujdesur që të rrisë një fëmijë vetëm. Një përvojë pa dyshim jo e lehtë, por e aftë t’i bëjë më kurajoze, më të vetëdijshme dhe të afta. Më të forta. Fenomeni i femrës që gjendet në kushtet e nënës së detyruar të rrisë një fëmijë e vetme, është në rritje të vazhdueshme. Rritja e ndarjeve dhe e divorceve, është gjithnjë e në rritje, sidomos këto pesë vitet e fundit. Shenjë që gjithnjë e më shumë femra gjenden në situatën ku duhet të përballojnë një sfidë aspak të lehtë.

Nënë e vetme: një sfidë e veçantë

Të rritësh e vetme një fëmijë është një sfidë e veçantë. Janë të mëdha përgjegjësitë që një grua duhet të përballojë. Në fakt, vetëm të riorganizojë krejtësisht jetën është hapi i parë me të cilin një nënë e vetme duhet të përballet. Të bashkosh punën, e domosdoshme për aspektin ekonomik, me kohën dhe nevojat e një fëmije ende të vogël, sigurisht nuk është një detyrë e thjeshtë. Sidomos kur nuk mund të mbështetet në atë rrjet mbrojtjeje natyrale që përbëhet nga familja e origjinës, nga gjyshërit apo tetot.

Sot nevojat ekonomike për një nënë janë gjithnjë e më stresuese dhe frika se nuk mund t’ia dalë është hapi i parë me të cilin ajo duhet të përballet. Dhe ja ku lufton ditë për ditë, që të mund t’i ofrojë fëmijës së saj gjithçka që ai ka nevojë. Dhe ja ku lufton me ndjenjën e fajin, për shkak të kohës që mungon në shtëpi, teksa pyet veten nëse do të jetë ndonjëherë e mjaftueshme. Të jetë e mjaftueshme ajo vetë, t’i mjaftojë vetëm ajo fëmijës së saj.

Aspekti psikologjik

Një tjetër temë ekstremisht delikate që një nënë e vetme duhet të përballojë është aspekti psikologjik, ai personal për shkak të përpunimit të një ndarjeje apo vdekjes së bashkëshortit, si dhe kundrejt fëmijës që gjendet përballë një figure të vetme, një pike të vetme referimi dhe që tek ajo duhet të gjejë atë që në një situatë normale, e ofrojnë të dy prindërit. Dhe ja sepse përgjegjësitë e një nëne të vetme bëhen edhe më shumë delikate, duke qenë se duhet të ofrojë harmoni dhe përgjigje, siguri dhe normalitet.

Një nënë nuk është thjesht një nënë. Ajo luan edhe rolin e babait kur është e nevojshme. Jo, nuk është e thjeshtë. Të bësh të dy rolet kërkon një ekuilibër përtej situatës së zakonshme. Kërkon një forcë të vazhdueshme. Urtësi, për të mos qenë një prind tepër i butë apo tepër i rreptë. Duhet të jeni këmbëngulës dhe zemërhapur, të qeshur dhe kërkues, dhe duhet t’i fshihni lotët atëherë kur lodhja ju ka përfshirë kokë e këmbë. Duhet t’i frenoni frikërat, në mënyrë që të rrisni një fëmijë të lirë dhe krenar.

Kthesa në jetë

“Një përvojë pa dyshim e rëndë, e vështirë, por e aftë të transformohet në diçka të jashtëzakonshme”. Kështu është sintetizuar përvoja e të qenit një nënë single nga ana e femrave të ndryshme, të cilat morën pjesë në një studim mbi këtë temë. Diçka që, nëse pranohet me dashuri, është e destinuar të lërë një shenjë të thellë në jetën e protagonisteve. Për nënën, kjo duhet të jetë pika e vetme e referimit, si në aspektin praktik ashtu edhe atë edukativ.

Ndërsa fëmija, duke u rritur, fillon të kuptojë sakrificat dhe përkushtimin që nëna po i kushton jetës së tij. Jeni një nënë e vetme. Rritja e fëmijës vetëm ka qenë e vështirë, por ju ka bërë më të forta. Ju ka bërë një shembull për shumë nëna, të cilat ashtu si ju, po fillojnë një rrugë të vështirë, por të jashtëzakonshme. Sepse t’i kushtoni gjithë jetën fëmijëve, është një akt dashurie unik dhe i çmuar.

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

Share With:
Translate »
586 Views